Mbrojtesi i Vllaznise Mevlan Adili eshte “penduar” per ate karton te kuq te marre ne fund te ndeshjes me Laçin. Ne nje interviste te dhene per “Fax Sport”, numri 4 i kuqebluve ka folur per shume gjera, per titullin e humbur, finalen e Kupes por edhe per deklaratat e Staroves dhe te ardhmes se tij.
“Një betejë ka mbaruar, por nuk ka mbaruar lufta se kemi edhe një finale. Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi, pjesë e këtyre djemve që janë mjaft të sinqertë dhe shumë punëtor. Unë do ta mbaj mend këtë vit gjatë gjithë jetës time sepse ishim shumë pranë titullit, pa marrë parasysh se si shkuan gjërat në ndeshjen e fundit.
Mendoj se kemi dhënë maksimumin tonë dhe nuk besoj se do të na mbesë gjë peng. Ne si futbollistë duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga ky sezon, e po ashtu edhe drejtuesit e klubit që janë të rinj në këtë profesion, duhet të nxjerrin edhe ato mësimet e duhura për të ardhmen.
Kemi bërë një sezon të shkëlqyer dhe shpresoj ta mbyllim me trofe. Unë dua të ndalem tek një deklaratë e drejtorit aktual të Teutës, profesor Starovës, i cili në fillim të sezonit deklaroi se e mendon Vllazninë kandidate për të rënë nga kategoria. Për këtë arsye, ai duhet t’i kërkojë falje të gjithë futbollistëve, stafit dhe pjestarëve të tjerë të ekipit tonë.
Dhe falë Vllaznisë, jo që Vllaznia ka luajtur për Teutën sepse ajo ka luftuar deri në fund me sinqeritetin më të madh për Vllazninë, ato sot po e gëzojnë titullin. Pas ndeshjes me Laçin kam parë tifozë me lot në sy dhe ato lotë janë gëzimi dhe mërzie njëkohësisht sepse nuk ua dhuruam dot titullin.
Dhe për këtë fajtorë në rradhë të parë janë futbollistët, më pas sërish futbollistët dhe po ashtu edhe në fund sërish fajtorë janë futbollistët.
Jam i lumtur që jam në Shkodër dhe ua kam thënë edhe drejtuesve të klubit se në Shqipëri nuk do të luajë asnjëherë me ndonjë skuadër tjetër veç Vllaznisë. Ndërsa për jashtë pastaj, nëse vjen ndonjë ofertë e mirë, kjo është çështje tjetër.
Për momentin unë dhe i gjithë ekipi jemi të fokusuar tek finalja me Skënderbeun dhe jemi të detyruar për ta sjellë këtë trofe në Shkodër”- ka thënë mbrojtësi Adili.