Një muaj nga fitimi i konkursit dhe shpallja fitues e tij, ka dhënë dorëheqjen drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit të Bashkisë Shkodër, Taulant Dibra. Ai u përzgjodh në këtë pozicion të rëndësishëm pas ristrukturimit të Bashkisë së Shkodrës, duke krijuar drejtoritë e përgjithshme në strukturë.
Deri në këto momente, nuk ka informacion zyrtar për arsyet e dorëheqjes së Dibrës, i cili kishte një nga pozicionet e rëndësishme në Bashkinë e Shkodrës. Pritet që në ditët në vijim, të nisin edhe procedurat e zëvendësimit të tij, me gjasë sërish përmes një konkursi për këtë pozicion, konkurs që shpalli fitues taulant Dibrën në fund të muajit prill të këtij viti.
Dorëheqja e Dibrës ka ardhur pak javë pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku këshilltarë të opozitës folën për bllokim të lejeve të ndërtimit në territorin e Bashkisë Shkodër, ndërsa vetë ai mohoi se ka një bllokim të lejeve të ndërtimit. Sipas tij kishte vetëm një ngërç në zonat historike i cili pret një zgjidhje. Ai shtoi se gjithashtu do të ketë një rishikim të planit vendor, gjë e cila bëhet çdo 5 vite.