Tonin Dedaj nuk është më një nga zëvendëskryetarët e Bashkisë së Shkodrës. Bëhet me dije se Dedaj ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Dorëheqja i është njoftuar kryebashkiakut Benet Beci në fund të muajit tetor por lajmi është bërë i njohur vetëm ditën e sotme, raporton ShkodraWeb.
Siç e pranon vetë në letrën e dorëheqjes, nga 19 qershori 2023, Tonin Dedaj nuk ka ushtruar për asnjë moment funksionin, madje nuk është futur në ambjentet e bashkisë, ndërsa pas disa muajve, ai ka depozituar dorëheqjen nga ky funksion i rëndësishëm.
Tonin Dedaj u emërua zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër në ditët e para të majit 2021 nga kryebashkiakja e atëhershme Voltana Ademi, duke marrë postin e lënë bosh pas dorëheqjes nga Arben Gjuraj. Dedaj ruajti këtë pozicion edhe gjatë mandatit plotësues të ish- kryebashkiakut Bardh Spahia, bën me dije ShkodraWeb.
Më herët, Dedaj ka mbajtur pozicione të tjera të rëndësishme në administratën rajonale por edhe në qeverisjen vendore si administrator i NJA Rrethina nga 2 shtator 2020, deri në momentin e emërimit si numri 2 i bashkisë.
Aktualisht, në krah të kryebashkiakut Benet Beci, i zgjedhur me 14 maj 2023 dhe marrë detyrën me 19 qershor 2023, janë zëvendëskryetarët Rudin Beka dhe Onid Bejleri. /ShkodraWeb/