Aktori i humorit, Julian Deda, aktualisht drejtor artistik i spektaklit të humorit “Apartamenti 2 XL”, nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale bëri një denoncim lidhur me largimet e aktorëve të humorit nga spektakli “Portokalli”. Juli, i cili ka qenë pjesë e spektaklit në “Top Channel” për katër vjet, pas zërave për largimin e aktorit Florian Binaj dhe Bes Kallakut, gjeti përgjegjësin, ndërsa u kërkonte ndjesë 12 kolegëve aktorë, që nuk u kishte marrë leje, duke publikuar edhe fotot e tyre.
Juli fajësoi regjisorin e spektaklit për të gjitha largimet, duke treguar se gjithnjë ka pasur tendencë nga ana e tij dhe njerëzve rreth tij për të fajë- suar aktorët e larguar. Nuk vonoi përgjigjja e Bashës ndaj Dedës, ndërkohë që në këtë intervistë Julian Deda sqaron marrëdhënien mes tyre, pas 4 vitesh bashkëpunimi dhe rivalitetin tani në televizion.
Pyetja që shtroje në statusin tënd për 12 aktorët e larguar nga “Portokalli” ishte: Të gjithë ne që ikëm paskemi faj dhe ky zotëria qenka i kulluar…?” Kaq keq je ndarë me regjisorin Altin Basha?
S’ka lidhje. Unë i listova dhe bëra pyetjen: Kush është i keqi, ne që jemi 12 vetë, apo ai që është vetëm?
Meqë ke qenë pjesë e trupës “Portokalli” për katër vite, a mund t’i tregosh më qartë arsyet e rrjedhjes së trupës?
Thelbi është se duhet të kuptojmë që asnjëri nga ata të 12-të nuk kishte probleme financiare me “Top”-in, sepse të gjitha i zgjidhte institucioni, e për këtë duhet respektuar ai televizion. Të gjithë ikën nga problemet me regjisorin dhe ndokënd shumë afër tij. Sepse janë ca njerëz që i fusin hundët gjithkund, përveçse te puna e tyre.
Ndërkohë regjisori Altin Basha, i ftuar në “Wake up”, i ka arguemtuar largimet duke t’u përgjigjur në distancë se: “Nuk merrem me individë që lehin rrugëve”! Si e prite këtë përgjigje?
(qesh) Nuk e kam dëgjuar fare…tani po e marr vesh që paska folur. Po kush e di me kë e ka pasur…
Meqë je një nga të ikurit, ti personalisht çfarë kujton nga vitet e punës me regjisorin Altin Basha?
Mos u hyni fare këtyre pyetjeve, se nuk ia vlen të flasësh fare për të.
E ndjek “Portokallinë”, qoftë dhe për kureshtje?
Jo.
Ndërkohë mund t’ju konsiderojmë rivalë me Bashën, pasi tashmë je drejtues artistik i “Apartamenti 2 Xl” në “Vizion Plus”. Çfarë do të sjellë trupa jote këtë sezon të ri?
S’kemi ndryshime, i njëjti staf aktorësh, si vitin e kaluar. Pak a shume e njëjta skenografi, me ndonjë detaj të vogël. Do të kemi të ftuar çdo të martë tek urdhrat, të cilët në pjesën më të madhe janë gazetarë ose folës të edicioneve të lajmeve. Ndërsa të ftuarit në skenë do të jenë të ndryshëm, nga të gjitha fushat. Tashmë jemi në punë e sipër, pasi çdo të shtunë xhirojmë, dhe çdo të martë jemi në ekran. /panorama/