Kryesia e Partisë Demokratike e vulës ka përjashtuar nga partia Sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, me arsyetimin se “ka bashkëpunuar me individë të sanksionuar si non grata, kundër PD”.
Mësohet se Kryesia ka vendosur ditën e sotme përfundimin e anëtarësisë së Bardhit në këtë forcë politike. Vendimi është marrë pak minuta më parë, unanimisht, raporton news24.
“Vendimi i Kryesisë së PD erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ish-sekretari i Përgjithshëm ndaj vendimeve të organeve kolegjale të PD, shumë prej të cilave janë votuar dhe janë nënshkruar prej tij si dhe për veprime në kundërshtim me interesat politike dhe elektorale të PD, për mosnjohjen e institucioneve të dala nga vota e demokratëve.
Po ashtu dhe për ndjekjen e një agjende personale, përmes të cilës kërkon të zhvendosë PD nga orientimi i përcaktuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar, në raport me aleatët strategjikë dhe bashkëpunimin me individët e sanksionuar si non grata, që kanë ndërmarrë një aksion dy vjeçar kundër Partisë Demokratike.”, thuhet në argumentet e parashtruara nga Kryesia e PD-së.
Kujtojmë se ky vendim vjen fill pas debatit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha në seancën e shkuar në Kuvend.