Dy muaj pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë për një dënim me dy vite burg, Adriatik Llalla, ish-Prokurori Përgjithshëm, është ndaluar në kryeqytetin e Italisë. Burime zyrtare të SPAK i thanë A2CNN se ish-prokurori i Përgjithshëm, Llalla është prangosur në Romë, të premten, më 10 dhjetor 2021. Sipas burimeve, autoritetet homologe italiane kanë njoftuar në rrugë zyrtare Prokurorinë e Posaçme se Llalla është arrestuar në zbatim të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij.
Adriatik Llalla kërkohej nga Interpol për llogari të vendimit më 2 vite burg, dhënë ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 22 shtator për akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”.
I njëjti vendim i hoqi atij të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite, si edhe i konfiskoi, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.
Llalla u largua nga vendi pak ditë para se dënimi i tij me burg të merrte formë duke i shpëtuar kështu arrestimit. Me tej, përmes avokatit ai tentoi të shmangte vajtjen në qeli, duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit për shkak të problemeve shëndetësore, kërkesë që u rrëzua nga Shkalla e Parë dhe nga Apeli i Posaçëm.
Në ditët në vijim drejtësia shqiptarë pritet t’i drejtohet palës italiane me një kërkesë për ekstradimin e tij.
Nga ana tjetër, persona të afërt me ish-kryeprokurorin pretenduan se Llalla nuk është në gjendje arresti. Sipas tyre, Llalla ka kërkuar azil politik në vendin fqinj, duke pretenduar një proces të ndikuar në Shqipëri dhe se autoritetet policore italiane, pasi e kanë vënë në dijeni për urdhër-kërkimin ndërkombëtar dhe e kanë marrë në pyetje e kanë lënë të lirë. /A2CNN/