Drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj rrezikon shkarkimin nga detyra pasi gjatë vetingut i janë konstatuar probleme në kriterin profesional. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi atë në detyrë, por ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik Florjan Ballhysa.
Ky i fundit këmbëngul në shkarkimin e prokurorit duke pretenduar se në fashikull paraqiten gjetje dhe rrethana të tilla ligjore e faktike që nuk përmbushin kriteret dhe standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes, që garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut, raporton News24.
“Referuar rezultateve të hetimit administrativ mbi këto akte, Komisioneri Publik çmon se subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpjegime bindëse, si dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës, mbi gjetjet e rezultuara nga burimet e administruara, të cilat duhet të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit”- thuhet ndër të tjera në ankim.
Konkretisht në një procedim penal të vitit 2014 të regjistruar për veprat penale “goditje për shkak të detyrës” dhe “kanosje për shkak të detyrës”, rezulton se i dëmtuari ka qenë një punonjës policie, ndërsa autori person me precedent penal, ndërsa prokurori ndonëse ka zgjatur dy herë afatet e hetimit, nuk ka kryer asnjë veprim dhe në fund e ka pushuar çështjen.
Po në vitin 2014 ai ka hetuar një çështje tjetër për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe ka vendosur pushimin e saj duke argumentuar se çështja mund të ndiqej me ankim në gjykatë.
Në ankim thuhet se subjekti i është referuar në vendimmarrje një akt ekspertimi të një procedimi tjetër penal në ngarkim të të njëjtit shtetas. Po ashtu, në vendimin e pushimit nuk është cilësuar vepra penale “dëmtime të tjera me dashje”, për të cilën Prokuroria nuk ka më kompetencë për të vijuar hetimet. Vetë Shehaj e ka pranuar se i është referuar aktit të gabuar.
Mangësitë në kryerjen e veprimeve hetimore kanë sjellë pasoja për të dëmtuarit, thuhet me tej në ankim. Këto janë vetëm disa nga rastet, por Shehajt i janë zbuluar edhe dosje të tjera që ka mangësi të theksuar profesionale që përbëjnë shkak për shkarkim, sikurse kërkon Komisioneri.