Deklaratës së kryeministrit Rama se “askush nuk e vë në diskutim Parlamentin”, presidenti Ilir Meta iu përgjigj gjatë një konference për mediat, duke thënë se është përgjegjësi e Kuvendit njëpartiak, nëse e voton sërish Kodin Zgjedhor.
I pyetur nëse do të zhvillojë një takim me krerët politikë, Meta tha se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, pasi secila palë duhet të zbatojë marrëveshjen e 5 qershorit.
“Nuk kam çfarë takimi të zhvilloj sepse është firmosur marrëveshja në 5 qershor. Të gjithë kanë një detyrë që të gjithë ta respektojnë marrëveshjen. Pastaj si do të veprojë mazhoranca apo kuvendi një partiak kjo është përgjegjësi e tyre. Unë do të jem në lartësinë e detyrës për të mbrojtur rendin kushtetues”, tha Meta.
I pyetur nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, Meta u shpreh: “Ka zero mundësi që në zgjedhjet e 25 prillit populli opozitar të mos përfaqësohet në Shqipëri. Kjo ka zero mundësi”.