Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi ka deklaruar se opozita këtë javë ia ka dedikuar kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili akuzohet nga opozita se ka fshehur dënimin në shtetin helen. Sipas Shehit po të gërrmosh në listën e pushtetarëve të PS, do të dalin edhe shumë “Kajmakë” të tjerë.
Në mënyrë ironike, Dashamir Shehi thekson se po të kërkosh për emrat e pushtetarëve, duke do mjaftonin emrat e bulmetrave të Shqipërisë për t’i emërtuar ata. Ndërkohë që thekson se “Kajmaku” është një projekt politik dhe filizofi e Edi Ramës.
“Këtë javë ja kemi dedikuar “Kajmakut” të Vorës, i cili sigurisht do të zbulohet gjatë javës, që ishte njëlloj si “Kajmaku” i Shkodrës dhe po ashtu jam i sigurt po të gërmosh ne listën e pushtetarëve socialistë, do të dalin dhe “Kajmakë” të tjerë. Do të dalin dhe aq shumë të tjerë sa nuk do të mjaftonin emrat e bulmetrave të Shqipërisë.
Mirëpo “Kajmaku” nuk është thjesht një individ (si “Kajmaku” ka me mijëra shqiptarë batakçij që janë gati të grabisim cdo gjë publike që i del përpara). “Kajmaku” është një projekt politik, një filozofi drejtimi, një ide që po kthehet në praktikë në cdo hallkë të qeverisjes së Edi Ramës.
“Kajmaku” është Edi Rama vetë. Është mendësia e tij, është bindja e tij personale, që batakçiu është më i mirë se i ndershmi, se i forti është më i mirë se i drejti, se i pasuri është më i zoti se i varfëri (se sigurisht sipas Ramës, të varfërit që kanë ngelur të tillë, kanë ngelur nga pazotësia e tyre dhe jo nga padrejtësia e sistemit). Kjo është mënyra si mendon Edi Rama, kjo është ajo që ka vënë në praktikë ne 20 vitet e qeverisjes se tij ne Bashkinë në Tiranës dhe Kryeministrinë e Shqipërisë.
Me këtë mendësi sigurisht që nuk mund të bëhet shtet. Aq më pak, një shtet i mirë. Me këto mendësi dhe praktika, ndërtohen bandat, ndërtohen mafiet, ndërtohen organizatat kriminale. Fatkeqësisht kjo po ndodh në Shqipërinë tonë të vogël.
Prandaj ne, njerëzit e opozitës gjykojmë, që nuk mjafton kallzimi i “Kajmakëve”, por do rrëzuar i gjithë sistemi i Ramës, me atë ne krye, që të fillojmë dhe shpresojmë për një Shqipëri tjetër”, thekson Shehi.