Zhvillime të reja për çështjen e ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, i cili është i shpallur në kërkim pas urdhër-arrestit të Prokurorisë dhe ndodhet në arrati.
Më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi arrest në burg në mungesë për ish-kreun e Bashkisë Vorë, një ditë pasi më parë prokuroria lëshoi urdhër arrestin për të.
Ndërsa më 21 nëntor Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi të njëjtën masë për ish-kryebashkiakun e Vorës, i cili u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dek.riminalizimit duke fshehur një dënim në Greqi.
Por tashmë pritet që Agim Kajmaku të ‘fitojë’ lirinë. Kjo pasi shefja e protokollit në Bashkinë e Vorës ka ndryshuar dëshminë për falsifikim dokumentesh. Ditën e nesërme është përcaktuar seanca dhe pritet që gjyqtari Kujtim Vranici, i njëjti që ka dhënë vendimin për ish-kryebashkiakun e Vorës të ndryshojë masën e sigurisë nga ‘arrest në burg’ në ‘detyrim paraqitje’.
Burimet bënë me dije se është përgatitur vendimi për zbutjen e masës së sigurisë ndaj tij dhe Kajmaku i cili ndodhej në arrati mund të jetë i lirë të mbrojë veten e tij nga akuzat.
Prokuroria nisi hetimet për të dhe e akuzon për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 te Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.
Akuza e fundit ka të bëjë me një vendim të Kajmakut, të marrë pas shkarkimit nga KQZ. Mësohet se pas vendimit të KQZ, Kajmaku ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë, megjithëse edhe vetë ishte zyrtarisht i shkarkuar si titullar i bashkisë Vorë.
Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e vetëdeklarimit në KQZ. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.