Ish- presidenti Ilir Meta, duket se ka zgjedhur të kalojë në Shkodër fundjavën. Ai është shfaqur në një nga lokalet në breg të lumit Buna, me në sfond kalanë Rozafa. Pikërisht, me këto dy simbolika ai ka zgjedhur të përcjellë mesazhin e tij.
“Buna herë ngrihet e herë ulet, por Kalaja e Rozafës qëndron atje lart mbizotëruese si Zonjë e randë! ✌️🇦🇱 #14Maj #Shkoder #Shqiperi #Fitore #NdryshimMeCdoCmim”, shkruan kryetari i PL- së Ilir Meta duke treguar me gisht kalanë Rozafa.
Prej disa javësh tashmë Ilir Meta ka humbur mbështetjen e deputetit të tij në qarkun e Shkodrës, por në të gjitha daljen e tij publike nuk është shprehur i shqetësuar.
Madje, ai e ka konsideruar pozitiv faktin e largimit të deputetit të tij, si pjesë e “merkatos” siç është shprehur shpesh herë ish- presidenti i vendit. PL dhe PD kanë ndërtuar së bashku një koalicion për “14 majin”, duke synuar fitoren në shumicën e bashkive të vendit.