“Ekipi do të ketë një premio të konsiderueshme dhe këtë do t’ua them lojtarëve sa më shpejt”. Kështu u shpreh presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në ditën e prezantimit të sponsorit gjeneral të klubit për sezonin e ri.
Ndërkohë, është mësuar nga burime në klubin shkodran, se bëhet fjalë për një shpërblim prej 50 mijë eurosh në rast se Vllaznia arrin të kalojë në turin e tretë të Ligës së Konferencës pas dy ndeshjeve që do të zhvillojë kundër Universitatea Kraiovës. Shifra e premios u është bërë e ditur edhe lojtarëve së fundmi.
Këtë edicion Vllaznia pati shansin e madh që ta niste përfaqësimin në Europë nga turi i dytë i Ligës së Konferencës, jo nga i pari siç ndodhi me Partizanin dhe Laçin.
Ky ndryshim u bë nga UEFA për të favorizuar skuadrat që kishin fituar trofe dhe duke qenë se Vllaznia e mbylli sezonin me Kupën e Shqipërisë, e nis rrugëtimin nga turi i dytë, jo nga i pari siç në ndodhi në edicionin e kaluar, ku kundërshtar kishte Shiroki Brijegun.
Klubi shkodran ka 450 mijë euro të sigurta përfitim nga UEFA edhe nëse eliminohet ndaj rumunëve.