Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, do të bëjë kallëzim në Prokurori për 67 anëtarë të 18 grupeve të numërimit në të gjithë Shqipërinë, pasi dyshohet se kanë manipuluar rezultatin për kandidatët.
Nga procesi i rinumërimit paszgjedhor të 10% të kutive të votimit rezultoi se në procesverbalin final, që u certifikua si rezultati final, kishte diferenca të papërfillshme sa u përket subjekteve partiake. Diferenca më të shumta kishte brenda partisë dhe që lidhej me votat preferenciale. Kështu, anëtarët e tri grupeve të numërimit në Shkodër do të ndiqen penalisht pasi i dhanë më shumë vota në rezultatin final kandidatit të PD-së Zef Hila sesa kishte në kuti.
“Në total si numër janë 67 anëtarë të grupeve të numërimit. Pra, në 18 grupe numërimi. Emrat e 67 anëtarëve do të shkojnë në prokurori. Të gjitha shkeljet që karakterizohen në shkelje të natyrës penale kanë të bëjnë në diferencën të fletëve të votimit në rezultatin për kandidatin, jo për partitë politike. Diferencat janë të papërfillshme. Ndërsa për kandidatët shkojnë nga 1 deri në 60 fletë për një kandidat më shumë apo më pak”, tha dje kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve.
Ai sqaroi se pas procesit të verifikimit paszgjedhor janë gjetur parregullsi në rezultatin kryesisht për kandidatët për votat preferenciale. Sipas Celibashit, KQZ nuk ka kapacitete hetuese, ndaj për rastet që ka pasur diferenca të theksuara është vendosur që të bëhet kallëzim penal për të gjithë grupin e numërimit në qendrën përkatëse të numërimit.
“Ne nuk jemi në kushtet për të hetuar dhe verifikuar se cilët anëtarë të grupit X të numërimit që ne po referojmë në organet e prokurorisë janë përgjegjës për këtë parregullsi. Do t’i takojë prokurorisë, që përmes procesit të hetimit penal, të konkludojë nëse janë të gjithë, 4 anëtarët e grupit, përgjegjës apo njëri prej tyre. Pavarësisht se rezultati është në favor të një kandidati apo të një kandidati tjetër. Ligji o ngarkon të gjithë me përgjegjësinë për ta kryer këtë detyrë. Shkeljen e kanë kryer të gjithë apo njëri prej tyre, këtë do ta hetojë dhe verifikojë prokuroria”, vijoi Celibashi.