Liridon Latifi po rikthehet gradualisht në formën më të mirë fizike. 27-vjeçari dardan është një nga goditjet më cilësore të Vllaznisë në merkato, teksa sfidën e nesërme ndaj AEL Limassol në Conference League do e nisë si titullar.
Sulmuesi i djathtë foli për mediet përkrah trajnerit Brdaric. Latifi beson te kualifikimi në raundin e tretë (Vllaznia humbi 1-0 takimin e parë në transfertë). Eksperienca nuk i mungon dhe lojtari ofensiv zbulon se çfarë i ka kërkuar shokëve të ekipit.
“Kupat e Evropës janë gjithmonë motivim shtesë për lojtarin. Po e shijoj mirë, shpresoj që të vazhdojë ky ritëm me fitore dhe duke kaluar këtë raund, që do të jetë shumë i rëndësishëm për ne.
Kualifikimi? AEL është i kalueshëm, por duhet të jemi shumë të përqendruar. Shpresoj të jemi në ditën tonë më të mirë, sepse ata janë një ekip me lojtarë individualistë shumë të mirë, mund të na dënojnë shumë lehtë.
Ne jemi një grup shumë i fortë, kemi një staf shumë të mirë. Shpresoj t’ia arrijmë qëllimeve tonë dhe ashtu si e ka përgatitur trajneri taktikisht, të ecë ndeshja.
Kemi pasur probleme atje. Jo vetëm unë, por edhe 3-4 lojtarë të tjerë. Besoj se të gjithë janë mirë, sepse ka kaluar një javë. Besoj se të gjithë do të jemi në rregull dhe të gatshëm për ndeshje.
Këshilla për shokët? Kam biseduar me shumë lojtarë, jam munduar të jap sadopak eksperiencën që kam. Duhet të jemi shumë të përqendruar dhe me një komunikim mjaft të lartë, shumë më të lartë se në kampionatin shqiptar.
Pse zgjodha Vllazninë? Ishin bindjet e presidentit, por një nga arsyet kryesore ishte edhe trajneri, i cili ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në futbollin evropian, siç e dinë të gjithë.
Shpresoj ta mbarojmë pa kohë shtesë. Ne duhet të shënojmë dy gola, por nuk i dihet. Edhe nëse shkojmë në shtesa, do të japim maksimumin për t’u kualifikuar.
Goli? Shpresoj ta gjej rrugën e golit. Do të jetë shumë mirë për mua, por edhe për gjithë skuadrën“, përfundoi sulmuesi anësor i skuadrës shkodrane.