I ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola” ishte këngëtari i mirënjohur i muzikës popullore Bujar Qamili.
Bujar Qamili tregoi se e ka ndjekur çdo javë “Dola te Ola” dhe u shpreh i lumtur që kishte marrë ftesën për të qenë pjesë e tij. Më tej ai shtoi se programi ndiqet shumë në Shkodër dhe shumë prej fansave të tij vazhdimisht e kanë pyetur se kur ai do të dilte te Ola.
Para se të rrugëtonte nëpër kujtime, këngëtari interpretoi këngën “Rreth e rreth Shkodrës”, duke dhuruar një atmosferë shumë të bukur në studio.
Bujar Qamili kujtoi gjatë rrëfimit të tij se ka patur një fëmijëri si të gjithë fëmijët e asaj kohe. Ai tha se në 8-vjeçare ka qenë në shtëpinë e Pionierit, dhe më pas rrëfeu se ka punuar për të ndihmuar familjen.
Si fillim këngëtari tregoi se ka qenë në ndërmarrjen e duhanit, dhe më pas kaloi në sektorin e kaldajës, ku punoi për 15 vite. Gjatë kësaj kohë këngëtari angazhohej edhe në muzikë.
Ai zbuloi se edhe pse një këngëtar i muzikës popullore atë e thirrën në Festivalin e Këngës në RTSH, ku ndryshe nga këngët e tjera atij i dhanë një këngë me motive popullore.
Bujar Qamili tregoi se një mbështetje e madhe për të në Festival ka qenë Bashkim Alibali. Këngëtari tha se pas Festivalit la punën në ndërmarrje dhe kaloi në estradën profesioniste.
Teksa në studio u shfaq një fotografi ku ai ndodhej në Zvicër me Bashkim Alibalin, tregoi se në vitin 1989 ka qenë në një turne me të për 30 ditë. Ai kujtoi se përzgjedhja për në turne u bë me anë të një shorti të madh që u realizua, pasi këngëtarët e mirë ishin të shumtë në Shkodër. Bujari tha se u nisën për të bërë 2 koncerte në ditë dhe bënë 4 të tillë.
Bujar Qamili bëri një rrëfim të rrallë dhe plot humor për jetën e tij. Teksa në program u shfaqën fotografi me bashkëshorten e tij, ai tregoi se ata janë martuar shumë të rinj dhe tashmë kanë rreth 40 vite bashkë.
Veç momenteve të bukura që ata kanë kaluar bashkë, si çdo familje kanë patur edhe vështirësitë e veta. Bujari kujtoi momentin kur në vitin ‘89 ai ka shkuar në Amerikë, dhe i është dashur të qëndrojë aty për 6 muaj. Por pavarësisht gjithë vështirësive bashkëshortja gjithmonë e ka mbështetur dhe ka qenë krahu i djathtë i tij.
“Unë kam një familje të mirë, që e do dhe e respekton gjithë qyteti i Shkodrës. Ndihem jashtëzakonisht mirë në qytetin tim, pasi marr një respekt të jashtëzakonshëm. Më thërrasin Mjeshtër”, tha ai, teksa tregoi se ka patur shumë herë mundësinë të largohet jashtë Shqipërisë, por ka zgjedhur që të qëndrojë në vendin e tij.
Këngëtari është baba i dy djemve, dhe djali i madh i tij është pjesë e artit. Bujari tregoi se i biri ka mbaruar Akademinë e Arteve dhe tanimë është mësues në shkollën e Muzikës në Shkodër, dega kitarë.
Bujar Qamili është edhe gjysh, i një nipi dhe një mbese. Ai tregoi në program marrëdhënien e veçantë që ka me ta.