Pozicioni i punës “Drejtor, Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik”, është vakant prej disa muajsh, pas dorëheqjes së ish- drejtorit Filip Vila rreth 5 muaj më parë pasi kishte qendruar 7 vite në atë detyrë.
Sipas procedurave ligjore, pasuesi duhej të zgjidhej përmes një konkurrimi të hapur të personave që plotësonin kriteret për këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe me impakt në mijëra familje në bashkinë Shkodër.
Tashmë, përzgjedhja e fituesit është shumë pranë dhe madje mund të flitet për emër konkret. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër, mësohet se Imelda Kraja është e vetmja kandidate për “Drejtor, Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik”.
“Në zbatim të nenit 26 të Ligjit nr.152 datë 30.05.2013 “Për Nëpunësin Civil”, i ndryshuar; të Kreut III, të Vendimit Nr. 242 datë 18.03.2015 të Këshillit të Ministrave “Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”, i ndryshuar;
Bashkia Shkodër, pas verifikimit paraprak, për përmbushjen e kushteve dhe kritereve të veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim për ngritje në detyrë në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, njofton se kandidatët e kualifikuar për të vazhduar fazën e dytë të konkurimit për pozicionin:
Drejtor, Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik, kategoria e pagës II-b
Kandidatë të kualifikuar janë :
1. Imelda Kraja
Testimi me shkrimi do të zhvillohet në datën 27.02.2023., ora 9:30 në ambientet e Bashkisë Shkodër. Intervista strukturuar me gojë do të zhvillohet në datën 27.02.2023., ora 11:00 në ambientet e Bashkisë Shkodër”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Imelda Kraja është aktualisht administratore e një prej rajoneve të qytetit të Shkodrës dhe mban postin e kyetares së një prej degëve të LDG- së për bashkinë e Shkodrës. /ShkodraWeb/