Siç ishte paralajmëruar, në sallën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, është zhvilluar konkurrimi publik në mes kandidatëve për pozicionet drejtuese në institucionet kulturore në varësi të Bashkisë Shkodër.
I zhvilluar me 25 shtator 2023, në ditën e zisë të shpallur nga Kosova për vrasjen në krye të detyrës të policit Afrim Bunjaku, me porpozim të kryebashkiakut Benet Beci, në nisje të këtij eventi, u mbajt një minutë heshtje.
Në vijim, ka qenë radha e shpalosjes së platformave të kandidatëve për drejtorë të Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”. Anton Kaftalli dhe Orjeta Kelaj Laro, kanë shpalosur platformat e tyre para jurisë dhe një auditori që ndiqte në sallën e “Migjenit”.
Në vijim, për rreth 30 minuta, aq sa ishte kona në dispozicion, ka prezantuar platformën e saj edhe Ledia Dushi, kandidate e vetme për postin e drejtores së Drejtorisë Ekonomike të Kulturës.
Të fundit, kanë shpalosur platformat e tyre kandidatët për drejtor të Teatrit “Migjeni”, Albri Brahusha, Arian Çuliqi dhe Sara Smaja, të cilët si edhe kandidatët t tjerë, u janë përgjigjur pyetjeve të jurisë.
Kjo praktikë për drejtuesit e institucioneve të kulturës në Bashkinë Shkodër, zhvillohet për herë të parë, duke qenë kështu një risi dhe një element i ri në qeverisjen vendore. I gjithë eventi është transmetuar “live” nga RTSH Shkodra, një tjetër risi që i shtoi një vlerë më shumë kësaj nisme.