Kantautori i njohur Boiken Lako është dënuar me 3 vite burg nga gjykata e Tiranës për ndërtim të paligjshëm. Konfirmohet se shkak për dënimin e tij janë bërë punimet e kryera në ambientet e një godine të marrë me qera me qëllim ndërtimin aty të një studioje muzikore.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Besnik Hoxha e ka dënuar kantautorin me 3 vite burg për kryerjen e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm” për qëllime fitimi. Dënim ky që i është konvertuar në shërbim prove.
“Në rastin konkret rezulton se shtetasi Boiken Lako ka kryer punime që kategorizohen si punime që kërkohet pajisja me leje ndërtimi sipas nenit 11 të VKM-së 408 ‘Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit’. Punimet e kryera nga shtetasi Boiken Lako konsistojnë në krijimin e një strukture të re, duke ndërtuar mure, hapur dritare, kasat e dyerve dhe instalimet elektrike.
Shtetasi Boiken Lako nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por thjesht është mbështetur tek një kërkesë e Njësisë Administrative Nr.7. Siç rezulton nga deklarimet e shtetasit Boiken Lako, proces-verbali për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe tabela fotografike, punimet e kryera nuk janë punime të brendshme, por është ngritur një ndërtim i ri tërësisht e ndryshme nga ajo e mëparshme”, sqaron Gjykata. Kujtojmë se më herët kantautori është dënuar me 500 mijë lekë të vjetra nga IKMT në lidhje me këtë çështje.
Si u spiunua Bojken Lako
Në datë 16.02.2021, Në Komisariatin e Policisë Nr.2 është njoftuar me telefon nga një qytetar, se në rrugën “ Shefqet Musaraj”, në anën e majtë të saj, tek një ndërtesë dy katëshe të pabanueshme, po kryheshin punime ndërtimore pa leje. Pas njoftimit është shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë kqyrjes është konstatuar se kjo banesë ishte në bllokun e ish magazinave tek ish NISHARAK, në afërsi të UET, e cila ishte marë me qera nga shtetasi Boiken Lako dhe punimet po kryheshin prej tij.
Nga këqyrja ka rezultuar se në katin e dytë ishte një ambient holl, me përmasa 30 m2 me 7 të përshtatura në dhoma, ku po kryheshin punime ndërtimore. Në dhomën e parafundit nga ana lindore ishte hapur një mur, me përmasa 120×100 cm, një dritare, në dyshemenë e kësaj dhome kishte materiale inerte, tulla dhe llaç, në dhomën e fundit ishte vendosur një dritare duralumini, të gjitha ambientet e brendshme ishin të ndara në dhoma, nuk kishte dyer të vendosura, tavani i hollit të ambientit ishte i pa suvatuar, por i shtruar me parket laminat.