Udhëheqësi i Katalonias, Carles Puigdemont, tha se rajoni ka fituar të drejtën për shtetësi, pas referendumit të së dielës, i cili është shoqëruar me dhunë. Ai tha se është hapur dera për shpallje të njëanshme të pavarësisë.
Mediat të cilat citojnë zyrtarë katalans shprehen se rreth 90% e pjesmarrësve votuan pro referendumit, shkëputjes nga Spanja.
Qindra njerëz u plagosën ditën e djeshme pasi policia spanjolle ka përdorur forcën për të bllokuar votimin.
Qeveria e Spanjës është zotuar se do ta ndalojë referendumin, i cili është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit.
Zyrtarët policorë penguan disa njerëz nga votimi, ndërsa sekuestruan fletëvotime në disa qendra.
“Në këtë ditë shprese dhe vuajtjeje, qytetarët e Katalonisë kanë fituar të drejtën për shtet të pavarur në formë të republikës”, tha Puigdemont në një fjalim televiziv, i rrethuar nga udhëheqës të tjerë katalanas.
Ai tha se Bashkimi Evropian “nuk mund të vazhdojë të shohë në mënyrë tjetër”.
Më herët, pas përfundimit të votimit, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoi, tha se katalanasit u mashtruan dhe morën pjesë në një referendum të paligjshëm. Ai e cilësoi atë si “tallje” me demokracinë.
“Sot nuk ka pasur referendum të vetëvendosjes në Kataloni. Sundimi i ligjit mbetet në fuqi”, tha ai në një fjalim televiziv.
Turma të mëdha të mbështetësve të pavarësisë u mblodhën të dielën në qendër të kryeqytetit rajonal, Barcelona, duke brohoritur dhe valëvitur flamuj të Katalonias.