Gazeta kryesore austriake “Die Presse” njofton sot se është marrë de facto vendimi i Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë.
Franca, Holanda, Danimarka por edhe Gjermania janë kundër ose nuk janë pro. Sot këshilli i Ambasadorëve në BE do t’ia komunikojë këtë komisionerit Hahn. Një diplomat evropian i tha “Die Presse” se kishte dyshime për vullnetin e sinqertë për reforma:
“Shihni protestat në Shqipëri dhe sidomos sesi reagon qeveria. A mund të dallosh aty një përpjekje? Dhe të mos harrojmë: ishte Komisioni Evropian që para dy tre vjetësh paralajmëroi rrezikun e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar”, tha ai.
Hapja e negociatave kërkon vendim unanim nga 28 vendet anëtare, prandaj është përjashtuar që para verës, dy vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE.
Me titullin: “Drita e kuqe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, gazeta shkruan se Franca dhe Holanda në veçanti kundërshtojnë fuqimisht hapjen e negociatave të pranimit me të dyja vendet, duke shtuar se Holanda shkon më tej, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund regjimit pa viza për qytetarët shqiptarë.
Të hënën, një zëdhënëse e Komisionit Evropian konfirmoi se ajo kishte marrë një letër nga Haga. Shqiptarët kanë udhëtuar për në BE pa viza që nga fundi i vitit 2010. Komisioni tani ka një muaj kohë për të shqyrtuar kërkesën holandeze.
Regjimi pa viza mund të anulohet në përputhje me rregullat e zbatueshme, në qoftë se ka shumë raste të kërkesave për azil nga vendi në fjalë ose numri i atyre që qëndrojnë më shumë se tre muaj rritet shumë. Gjithashtu në Danimarkë dhe Gjermani nuk ka marrëveshje për të hapur negociatat e pranimit me të dy shtetet.
Në Danimarkë, Parlamenti do të rizgjidhet këtë të mërkurë, ku duket një fitore e qartë për Social Demokratët. Nën udhëheqjen e partisë nga Mette Frederiksen, ata kanë lëvizur fuqimisht drejt së djathtës në lidhje me politikat ndaj emigrantëve.
Edhe në Gjermani, për arsye procedurale një marrëveshje para verës do të jetë e pamundur.
Qeveria lejohet të miratojë negociatat e pranimit me një shtet të tretë pas autorizimit paraprak të Bundestagut, të cilit i kanë mbetur edhe dy mbledhje përpara pushimeve verore.
Rrjedhimisht, deputetët nuk kishin kohë për të studiuar dhe debatuar raportin e progresit të Komisionit Evropian, i cili u botua në Bruksel javën e shkuar.
Në këtë raport, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të pranimit.
Jo më herët se në fund të shtatorit, Bundestagu do të jetë në gjendje për të vendosur, tha zëvendës shefi i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, të enjten.