Vjet ishte hera e parë që bëja pushime në Ksamil. Mora me vete edhe pesë familje të tjera, miq të mijë nga jashtë. Këtë vit edhe katër familje, tre nga të cilat italiane.
Më ka pëlqyer ky vend, jo nga fotot me filtra, por nga ajo që kam parë vetë në çdo ditë pushimesh. Viti që shkoi, ishte ende një periudhë post-covid dhe fluksi ishte më i vogël. Sherbimet, pavarësisht defekteve, kishin gjithmonë nga pas persona që të buzëqeshnin dhe kërkonin të të plotësonin çdo kerkesë.
Në një vit të vetëm, sikur kemi ndërruar planet. Kemi 10 ditë që përballemi me arrogancë, mungesë sherbimi, shikime sikur i jemi borxhlinj pronarëve dhe kamarierëve.
Kjo sepse dyndja e turistëve është aq e madhe, saqë këta mendjengushtë bëjnë llogaritë e së sotmes dhe nuk mendojnë për një të neserme në prag. (Sepse sezonet aq janë).
* * *
Në plazh, tipi i shezloneve na sheh sikur të jemi të burgosur lufte që po i kërkojmë bukë. Në lokale, kamarieri kur të vjen tek tavolina, të sheh sikur ka në dorë butonin bërthamor. I duket vetja personi më i rëndësishëm i globit.
Në “Bianko”, një biçim pub-i me tre kate, stafi, siç duket me urdhër të pronarëve, bën një rreng idiot për klientët. Fik muzikën e katit sipër dhe i fton të gjithë të zbresin një kat më poshtë, aty ku muzika rinis. Dhe bashkë me muzikën ti duhet medoemos të porosisësh pijet nga e para. Përndryshe, të ftojnë të dalësh menjëherë jashtë.
Qershija mbi tortë është padyshim në plazhin e Pasqyrave. Aty ka një pronar të vetëm në të gjithë gjirin e vogël. Zonë ende e virgjër. Por pronari, bashkë me djalin, një i ri që të sheh si killer, kanë krijuar një minidiktaturë në oazin e tyre. Rëndësia dhe autoriteti i tyre nis dhe mbaron në atë gji të vogël të bekuar nga Zoti.
“Deshëm të prenotojmë një tavolinë për në 12.30”.
“Jo”.
“Si jo”?
“Nuk bëjmë prenotime”.
Nuk më duket normale, por gjithesi, në 12.15 zëmë një tavolinë. Na sherben killeri, dora vetë. Menutë na i përplas në tavolinë.
(NUK ËSHTË ASPAK PËR TË PASURUAR KËTO RRESHTA. NA I PËRPLAS ME TË VERTETË.)
Pas pak minutash, e thërrasim për porosinë. E merr me një shprehje bezdie dhe largohet. Pasi kanë ardhur të gjitha çfarë kemi porositur, kërkojmë të porosisim edhe diçka tjetër.
“Jo. Kaq ishte. Vetëm një porosi”.
S’po kuptoja dhe e pyes përsëri.
“Mund të porositni vetëm një herë pasi do vijnë të hanë edhe të tjerë persona që jane në plazh”.
Mundohem të kërkoj logjikën në këtë përgjigje por është e kotë. Killeri ka rregullat e tij. Ai është Zoti i Pasqyrave dhe turistët duhet t’i binden. Çdo pyetje që kërkoj t’i bëj, ndeshet me një veshtrim ironik dhe gati përbuzës.
Italianët në tavolinë nuk arrijnë ta besojnë se nga vjen gjithë kjo arrogancë. Të njëjtën sjellje vërejmë edhe me dy zonja të moshuara. Zoti i Pasqyrave, ka gjithmonë të drejtë. Të paktën deri në shtator. Ndoshta edhe pas një viti.
Dhe këtu ndjej vertetë keqardhje. Së pari për këto vende të bekuara nga Zoti dhe së dyti, për vetë ata dhe familjet e tyre. Sepse pas disa vitesh, me gjasë, italianët do të lodhen. Shqiptarët gjithashtu do kërkojnë të tjera mundësi dhe këta diktatorë të vegjël të turizmit në jug, do të dalin me kartona në dorë buzë rrugës së fshatit dhe të luten: KEMI DHOMA PLAZHI… /Nga Taulant KOPLIKU, publikuar në Facebook/