Në mbrëmjet e vallëzimit që organizonim kur ishim në gjimnaz, në aureolën e tangove që interpretonte orkestra ishte pa diskutim “Lulja e Majit”. Ne shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të embël që kur e dëgjon mund të themi pa hezitim se ajo shkrin akujt e zemrës më të ftohtë në botë dhe e bën të përjetojë valë të ngrohta. Kjo këngë magjike u bë hymn i mbrëmjeve të vallëzimit dhe koncerteve të asaj kohe.
Kënga kishte marre skenat dhe kishte marre zemrat e shkodranëve. Po ku kishte lindë kjo këngë lapidare. Kishte lindë në tokën e dashurisë, aty në Pjacën e Shkodrës. Atë e kishte kompozuar Pjerin Ashiku i cili jetonte në Pjacë dhe dilte përnatë aty tek dyqani i valutës duke përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Në këtë Pjacë kanë lindur mijra këngë nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë.
Si përherë në krah të tij qëndronin dy aktorë brilantë të humorit shkodran Tano Banushi dhe Bik Pepa. Bile Tanon e kërcënonin shpesh se do ta përjashtonin nga partia se rrinte pasdrekeve me Pjerin Ashikun i cili nxirrte barcoleta kundër partisë, si e vetmja mënyrë kundërvënie ndaj padrejtësisë që i bënte diktatura. Po kush ishte ky njeri që nxorri këtë këngë perlë e cila i ka rezistuar kohës për gjysmëshekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar? A ka kompozuar këngë të tjera apo është mjaftuar me një? Nga vinte dhe çfarë konservatori kish kryer; të Romës apo të Vjenës, të Parisit apo të Berlinit?
Pjerin Ashiku lindi më 10 tetor 1926 në qytetin e Shkodrës, në një familje të vjetër dhe me tradita shkodrane. Familja e Pashko Ashikut (baba i Pjerinit) ban pjesë në ato familje që e kanë kultivuar kulturën në Shkodër. Për katër breza kjo familje ka mbajtur farmaci moderne në mes të Shkodrës duke i shërbyer bashkëqytetarëve me ilaçe qysh në shekullin e XVIII-të. Falë kësaj dinastie efemere Shkodra përdorte ilaçe të prodhuara në Itali, Gjermani, Austri e Francë kur Tirana ziente akoma gjethe mullage e hithërash për sëmundjet e stomakut e te melçisë.
Babai i Pjerinit ishte doktor farmacist i diplomuar në Romë që në vitin 1903. Ndërsa nëna, Teresa, ishte me prejardhje ruse e lindur në ish-kryeqytetin e Rusisë, Shën Petersburg. Nëna Teresa ishte e motra e konsullit rus të akredituar në Shkodër. Nuk e teprojmë po të themi se kjo dinasti ishte e një rangu për nga kultura me familjet europiane. Ndaj prindërit ishin të interesuar për edukimin e fëmijëve kryesisht me kulturë europiane.
Që në moshë të njomë, akoma pa i mbushë 7 vjetë, bie në sy të prindërve se shijet e Pjerinit anonin nga muzika dhe kënga. Kjo ra në sy edhe të Ndrekë Kaçulinit i cili kishte në Pjacë dyqanin kryesor të kinkalerisë. Nuk vonoi dhe Ndreka, duke qenë vetë muzikant, t’i dhuronte Pjerinit të vogël një kitarë dhe një fizarmonikë, të parën që kishte ardhë në Shkodër. E ku mbahej Pjerini tashti duke bërë muzike me shokë më të rritur se vetja.
Që në moshën adoleshente aktivizohet më Ndrek Kaçulinin në orkestrën muzikore. Duke pa se ishte talent në muzikë, prindërit e fusin me marrë mësime muziket në violinë tek Pader Martin Gjoni. Shkollën e mesme e kreu pranë Kolegjit Saverian, ku u dallua si talent i lindur e shumë premtues në fushat e muzikës, kantos dhe aktrimit. Pjerini ishte një instrumentist i talentuar në kitarë, fizarmonikë, instrumeta të cilat gjatë gjithë jetës do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore.
Çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi italo-gjerman e gjeti Pjerinin maturant të sapodiplomuar. Aktivizohet në melodramat “Juda Makabe”, “Basifondi”. Ishte mik i kompozitorit të madh Prenkë Jakovës, Zef Zorbës dhe më vonë i basit Lukë Kaçaj dhe kompozitorit Zef Lekaj. I vjen koha të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak por edhe aty i buzëqesh fati dhe e kalon pranë Korit të Ushtrisë. Aty duan ta mbajnë përherë, por se kujt i kujtohet prejardhja e tij “borgjeze” dhe e largojnë. Kthehet në Shkodër.
Për nevoja ekonomike ndërpret tërë aktivitetet muzikore dhe kërkon punë. E cakojnë punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Pas pak kohësh drejton grupin e estradës të kësaj ndërrmarje dhe fiton çmimin e parë. Në këtë grup amator këndohen edhe këngë që kishte fillu të kompozonte Pjerini, të cilat bien në sy të opinionit të at’herëshëm për ëmbëlsinë e tyre. Me krijimin e Estradës së Shkodrës caktohet me orkestren e saj. Aty shquhet për shoqërimin muzikor të parodive dhe intermexove. Gjatë kohës që qëndroi në estradë bie në sy një hop cilësor dhe promovimi i talenteve të reja si Zyliha Miloti, Tonin Tërshana e Besnik Çinari etj., të cilët vite më pas u bënë këngëtarë dhe aktorë estrade të njohur në gjithë Shqipërinë.
Por nuk qe e thënë që të vazhdonte gjatë në estradën e qytetit. E largojnë prej estradës dhe e caktojnë axhustator në Parkun e Automjeteve. Kjo ishte një goditje e rëndë për Pjerinin. Nga Estrada Profesioniste dërgohej në një ndërmarrje si axhustator. Në vend të fizarmonikës a kitarës do të merrte në duar tornon. Por edhe aty ai nuk dorëzohet, por krijon një grup amator estrade që konkurroi denjësisht në shumë takime kombëtare dhe mori çmime të para. Shtojmë ketu se i tërë libreti dhe muzika ishin krijimtari e Pjerin Ashikut. Kjo ka qenë periudha më kulminante e Pjerinit në drejtim të krijimtarisë së tij muzikore. Këtu spikati talenti i tij dhe kultura e tij e gjerë. Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të paharrueshme që këndohen edhe sot, mbështetur kryesisht në motive popullore shkodrane.
Pjerinin, falë humorit të tij, e njihnin të gjithë në Shkodër e më gjerë, përsëri punonte në Parkun Automobilistik, tashmë edhe i rritur në “përgjegjësi”, si dizenjator, dhe njëheri ishte libretist, kompozitor dhe fizarmoniçist i përkryer që ishte zemra e estradës së ndërmarjes së asaj kohe. Në këtë periudhë lindën këngët prestigjioze “Trotuari i qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Ermira”, “Miri i vogël”, “Kukulla”, “Valbona” etj., etj. Ndërkohë gjatë këtyre viteve spikatë talenti i tij edhe si piktor.
Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashikut përfshinë 140 këngë, e shumë parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës këngët e tij janë kënduar me sukses në Dekadat e Majit si përshembull këngët “Një zog i vogël” dhe “Ermira” por ajo që e nevrikoste gjithmonë Pjerinin ishte fakti se asnjëherë nuk dilte emri i tij si kompozitor. Kjo fshehje e emrit të tij nga ana e pushtetit e mërziste dhe e therte në zemër.
Në këtë periudhë, pranohet në Festivalin e Këngës në RTV, por është për t’u shënuar transformimi që pëson kënga e “Kukullës” të cilës i shndrrohet emri dhe titullohet “Vashat”. Le që i ndryshohet titulli por i bëhën transformime rrënjësore dhe skartohet qysh në naten e parë të festivalit. Më vonë kënga e “Kukullës” këndohet nga këngetarja e mirë njohur Justina Alija në “100 vjet muzikë”, këngë të cilën e kishte kënduar në Festivalin e Fëmijëvet qysh në vitin 1964. Një transformim të skajshëm pësoi edhe kënga “Ermira” të cilës ju vu emri “Bija ime” dhe nuk iu përmend fare autori.
Kënga “Miri i vogël” pëson një skandal edhe më të madh duke ju ndërruar titulli dhe duke u kthyer “Besmiri i vogël” duke ia kushtuar nipit të Enver Hoxhës. Gjithnjë pa u pyetur dhe u përmendur autori, sepse diktatorët kishin nevojë edhe për këngë që të kushtoheshin nipave të tyre, ku pyesnin ata për autorët…
Në kohën e demokracisë kënga “Një zog i vogël”, me tekst të shkrimtarit të mirënjohur shkodran Fadil Kraja dhe me muzikë të kompozitorit Pjerin Ashiku përvetësohet me paturpësinë më të madhe nga një këngëtar korçar bile arrin të quajë veten edhe kantautor në radio-televizionin shqiptar në vitin 1999. Si e thamë edhe në fillim të shkrimit, Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lules së Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe shqiptare.
Të befason fakti që edhe kësaj këngë i janë bërë tokë krijuese dhe të tjera vise si Korça, Ulqini e Kosova. Sepse tek e fundit kudo ka të dashuruar dhe të brengosur nga dashuria. Kudo ka një lule maji dhe për çdo njeri do kishte një këngë apo serenatë. Por nuk ka kudo kompozitor si Pjerin Ashiku, ata nuk lindin kund tjetër veçse në Shkodër. Në vitet e demokracisë këtë këngë e këndon Ermira Babaliu dhe e paraqet si pa gjë te keqe si këngë korçare (serenatë), duke i ndryshuar edhe linjen muzikore dhe duke i ndërruar pa përgjegjësi teksitin.
Për këtë Pjerini i drejtohet me një letër drejtorit të RTSH-së por nuk mori asnjëherë përgjigje. Shteti po i kundërvihej me heshtje duke i lënë të tjerët të bënin çfarë të donin me këngët e tij. Historia e përvetësimit të kësaj kënge vazhdon dhe sot e kësaj dite. Po t’i pyesësh korçarët të thojnë: “gjene mirë ‘Lulka e majit’ është një serenatë pe Korçe”, po t’i pyesësh kosovarët të thojnë: “Heu, hala se ke marrë vesh o shqipe se asht kajkë gjakovare e k’ndueme prej Isës (Ismet Pejës)” e kështu me radhë. Secili tenton t’i vëjë myhyrin e vet, gjithsekush kërkon ta “hipotekojë” dhe ta shpallë pronë të veten. Kjo “luftë” dixhitale vazhdon prej vitesh sikur të kishte filluar dje.
Mos harroni se kjo këngë e Pjerin Ashikut mban të shënuar vitin 1954. Gjithsesi kënga ka udhëtuar në kohë dhe hapësirën mbarëshqiptare duke u bërë një “Vals i Danubit” shqiptar, nëse hungarezët kanë një valcer famoz siç është “Valsi i Danubit” edhe shkodranët kanë një tango monumentale siç është “Lulja e Majit” ose Tangoja e Bunës. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe të shoqërojnë gjatë gjithë Pjacës Pedonale të qytetit të Shkodrës si hije të ëmbëla.
Por ti je vyshkë e më s’ke erë
Lulet e tua për mua s’kanë më vlerë,
Nuk je ti lulja e bukur e ditës së majit
Por je lulja e këngës sime të vajit…
Kur e dëgjon ajo provokon me të njëjtën magji edhe me vibrimet e më të akulltës zemër që mund të ekzistojë në botë. Ka shtegtuar kjo lule e erëandëshme pothuajse në të gjitha trojet shqiptare prej më se gjashtë dekada dhe përsëri ka mbetë këngë monumentale. Por erdhi një ditë që Pjerini u lodh nga kjo shtypje e heshtur që dalëngadalë po e cfiliste dhe po i merrte shpirtin. Ishin vitet e diktaturës dhe në dhjetra mbledhje të komitetit ekzekutiv për artin i shkaktonin fyerje gjer në dhimbje shpirtërore duke e etiketuar si sentimentalist e pesimist në muzikën e tij.
Në një rast proverbial kompozitori iu është përgjigjur me fjalët lapidare duke cituar vargjet e këngës “Miri i vogël” që ia kishin transformuar e cila thoshte: “Një pushkë e një kazëm i shtohen atdheut” këtu kompozitori u ngrit në këmbë duke u rebeluar e u tha me ironi: “apo doni këngë vetëm me pushkë e mitraloz…”
Iu duk sikur shfreu tërë brengën që i ishte grumbulluar në shpirt.
Kompozitori Pjerin Ashiku kurrë nuk pati asnjë sodisfaksion moral apo trajtim ekonomik. Gjithë jetën u la në harresë e me rrogë të vogël sa për të mbajtur frymën gjallë. Megjithëse ishte kompozitor, instrumentist, humorist, e kantautor që i këndoi tërë jetën me shumë dashuri Shkodrës dhe njerëzve të saj, njeri i dashur dhe me shpirt polidimensional ai u la në internim virtual në mes të qytetit. Më 21 shtator 1995 Pjerin Ashiku mbylli sytë përgjithnjë. Bashkëshortja me djalin e vajzën kanë emigruar në SHBA. Mark Bregu, shoku i tij, i ka kushtuar këto vargje në një gazetë lokale:
Syt me lot mbushen prej vajit,
Vajtojn’ Zanat e Veleçikut,
Kur kujton “Lulen e Majit”,
Kangen perl’ t’Pjerin Ashikut.
Muzikant e humorist
Që e deshti Shkodra mbarë,
Si piktor e si artist
Shpirt e zemër qytetar.
Pjerin Ashiku ka vite që ka ndërruar jetë, duke marrë me vete brengat dhe hidhërimet që i shkaktoi jeta nën diktaturë. Zanat e Velçikut ka vite që vajtojnë mbi murrana. Mbi várrin e tij atje në Rrmaj harliset selvia dhe çelin drandofillet. Era u përkëdhelë gjethet, dhe së bashku me erën akoma dhe sot vijnë ato tinguj famoz të “Lules së Majit” ose nëse mund ta quajmë “Tangos së Bunës”. U prehsh në paqe o Pjerin… /Nga Kabil BUSHATI, shkrim i vitit 20014/