Një lajm për pushimet e ambasadores amerikane në Shqipëri diku në Jug të vendit, më tërhoqi vemendjen. Diplomatja amerikane po shijonte uzon, pijen tradicionale greke, diku andej nga Vunoi. Nuk është hera e parë që Kim shfaqet në mes shqiptarëve të thjeshtë, siç nuk kanë munguar as fotot me personazhe VIP. Nuk e di pse por më është krijuar ideja se pushimet e verteta, ambasadorja amerikane i kalon rregullisht në Jug të vendit.
Nga një vëzhgim i shpejtë në rrjete sociale, e konstaton lehtë se “elita” apo VIP- at e këtij vendi zgjedhin përgjithësisht Jugun e vendit për pushimet e tyre. Hapësira gjeografike nga Tirana e lart, mesa duket nuk tërheq, as në pjesën malore e as atë detare. Në fakt, ata që kanë njëfarë moshe, në kuptimin që kanë kaluar vetëdijshëm vite në diktaturë, e kujtojnë se edhe “elita” e asaj kohe dhe jo vetëm “udhëheqësit”, vilat qeveritare e kampet e pushimit i ngrinin në territorin e “Zonës së parë operative”. Durrësi jo gjithmonë ishte i preferuar, ndërsa Pogradeci dhe Vlora ishin të privilegjuar.
Realisht, nuk po flas për detin e Velipojës por po përfshij edhe Shengjinin, po të doni edhe Durrësin. Vetëm rastësisht, në kalim, ndonjë VIP publikon foto apo video. E njëjta gjë edhe për perlat malore si Thethi, Valbona, Kelmendi. E për tu ndalur tek ata, që zyrtarisht i kemi vënë në krye të shtetit për të sjellë zhvillim e mirëqënie. Duke nisur nga kryeministri, ministrat e tij, presidenti e kryetari i Kuvendit, nuk sakrifikojnë disa ditë punime në rrafshin e Veriut.
Edhe pse kam dyshime, nuk dua ta besoj se është një strategji në dëm të Veriut. Nuk dua ta besoj edhe pse një mik i imi më pohoi se nga Shkodra në Tiranë të dielën i janë dashur 6 orë udhëtim me makinën e tij në rrugën që është premtuar disa herë se do të bëhet me 4 apo 6 korsi edhe Shkodra në Milot. Nuk dua ta besoj as kur në Jug, po diskutohet kthimi në destinacione tursitike i qytezave me investimet e buxhetit të shtetit tonë (edhe të veriorëve) duke i uniformizuar në stil dhe ngjyrë.
Një qeveri që nuk ka asnjë verior, është disi utopike të kërkohet që dikush/disa nga kabineti, të zgjedhin të pushojnë në Velipojë, qoftë edhe si sakrificë por në emër të promovimit të territorit e turizmit. Në Velipojë nuk duhet të vihet gjithmonë për të organizuar takime paraelektorale, nuk duhet të vihet vetëm kur ka shembje ndertimesh me leje apo pa leje, nuk je i mirëpritur kur vjen në raste ngjarjesh tragjike që nodhin gjithandej por që në rrafshin e Veriut mediat kanë prirjen ti amplifikojnë. Nuk tregon “ndjeshmëri” as kur vjen për të këputur ndonjë shirit sa për të thënë se rrafshi i Veriut vazhdon të jetë pjesë e Shqipërisë.
Kërkohet një kryeministër, ministër, kryetar parlamenti apo president, të sakrifikojë disa ditë plazh apo ecje në male në rrafshin e Veriut. Po, po, të sakrifikojë, edhe në emër të atyre njerëzve që jetojnë këtu dhe që i kanë mbështetur edhe me votë. Uzo ndoshta është e vështirë të gjesh, por raki, verë dhe birrë do të gjeni nga më e mira. /Nga Blerti DELIJA/