Drejtoria e Burgjeve ka pranuar kërkesën për leje të Fredi Belerit, për të udhëtuar drejt Strasburgut ku do të betohet si eurodeputet në Parlamentin Evropian më 15 korrik.
Mësohet se leja për Belerin është dhënë për pesë ditë, duke nisur nga dita e hënë, më datë 15 korrik, në orën 10:00. Drejtoria e Burgjeve po ashtu, ka marrë të gjitha masat për shoqërimin e Belerit jashtë vendit për pesë ditët e caktuara.
Kujtojmë se Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Pak ditë më parë ai i bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik.
Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.