Gruemira me 25 prill do të votojë masivisht Partinë Socialiste dhe kandidatin Paulin Sterkaj. Ky ka qenë mesazhi i banorëve të Gruemirës gjatë takimit të zhvilluar pasditen e të hënes në qendrën e Njësisë Administrative. “Kërkoj votat tuaja me 25 prill për Partinë Socialiste duke votuar numrin 12 dhe në fletën e votimit, në Qark numrin 2, pasi dua të jem deputet i fortë për të pasur mundësi që për 4 vitet e ardhshme të investojmë në Gruemirë dhe në Malësi të Madhe edhe më shumë se është investuar në 8 vitet kur qeveris Partia Socialiste”, ka thnë Sterkaj.
Ndër investimet që premtoi kandidati Sterkaj, ishte vazhdimi i rrugës nga Linaj drejt Rrjollit me synimin për çuar edhe drejt vendit piktoresk me resurse turistike Parunja e Rrjollit, si dhe lidhjen e fundit të Brinjes në Grizhë me fshatin e bukur të Reçit me rrugë të asfaltuar brenda mandatit të ri 4- vjeçar.
Në fjalën e tij kandidati i PS- së Paulin Sterkaj ka kërkuar që të krijohet bashkërisht një fond solidariteti për të ndihmuar familje në nevojë dhe ato që mund të preken nga fatkeqësi natyrore. Banorët e Gruemirës që folën gjatë takimit me kandidatin Sterkaj, i kanë kërkuar shpejtimin e ritmeve për shpërndarjen e çertifikatave të pronësisë së tokës bujqesore dhe rikthimin e zyrës postare në qendrën e Gruemirës.
Për çertifikatat Sterkaj tha se janë 3200 dosje pronësie në hipotekë por rreth 500 prej tyre kanë mbivendosje, prandaj pas zgjedhjeve do të krijohet një komision për verifikimin e tyre. Ndërsa për zyrën postare tha se ajo do të rikthehet në qendrën e Gruemirës. Në takim folën dhe kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj, nënprefekti Hysen Hysaj, kryetari i Njësisë vendore Ismet Sylaj, nënkryetarja e Bashkisë Nertila Bajramaj, antari i Këshillit të Bashkisë Besmir Mataj dhe kryetari i PS- së Lulzim Zaraj.
Takimi ka qenë entuziast, me pjesëmarrje të madhe dhe premtues për fitoren e PS- së dhe kandidatit Paulin Sterkaj me 25 Prill. Në fundin e takimit kandidati Sterkaj ka përcjellë urimin e tij për muajin e madhnueshëm të Ramazanit duke uruar agjërim të lehtë dhe të pranueshëm.