Këshilli Bashkiak i Shkodrëës duket se ka ndryshuar qendrim për lehtësitë fiskale për qytetarët e bisneset në kuadër të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia në vend. Pavarësisht se në mbledhjen e datës 3 prill projekt- vendimi i ardhur nga administrata bashkiake u shty pa u futur në shqyrtim, duket se Këshilli Bashkiak ka ndryshuar mendim. Në një deklaratë në faqen zyrtare në Facebook, ku publikohet edhe një shkresë drejtuar kryebashkiakes Ademi, thuhet se “Këshilli Bashkiak Shkodër vazhdon të jetë i hapur dhe në pritje për të shqyrtuar ndryshimet në Paketën Fiskale 2020, sipas rekomandimeve që Komisioni i Kontrollit Fimanciar dha në mbledhjen e kaluar, si dhe në vijim të shkresës bashkëlidhur.”.
Pavarësisht se nuk është situata më e mirë e mundshme, Këshilli Bashkiak nuk harron të sjellë në vëmendje edhe pak “politikë”, teksa flet për “Lehtësi Fiskale konform politikave të majta, për familjarët dhe Biznesin e Vogël”. Nuk është e qartë se nga e ka burimin një ndryshim i tillë pozicionimi i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, deri në pikën që i kërkon administratës bashkiake të dërgojnë projekt- vendimin për shqyrtim. Gjithsesi, është një ndryshim pozicioni i mirëpritur dhe në sherbim të qytetarëve shkodranë, në momente jo të lehta për ta por edhe biznesin. Protagonizmi në situata të tilla, si ajo e Fatkeqësisë Natyrore, nuk sjell shumë përfitim për askënd. /ShkodraWeb Media/
Postimi i Këshilli Bashkiak Shkodër
Këshilli Bashkiak Shkodër vazhdon të jetë i hapur dhe në pritje për të shqyrtuar ndryshimet në Paketën Fiskale 2020, sipas rekomandimeve që Komisioni i Kontrollit Fimanciar dha në mbledhjen e kaluar, si dhe në vijim të shkresës bashkëlidhur.
Sqarojmë qytetarët e Bashkisë Shkodër se sugjerimet dhe mbikqyrja jonë synojnë të garantojnë
❗Lehtësi Fiskale konform politikave të majta, për familjarët dhe Biznesin e Vogël
❗Kuantifikim monetar të lehtësive dhe transparencë me qytetarët shkodranë
❗Konvergim me lehtësirat fiskale ndërmarrë nga qeveria
Situata e pandemisë ka prekur çdo sektor dhe secilin prej nesh, por është detyrë e Këshillit Bashkiak të garantojë mirëpërdorimin e kopetencave vendore, me qëllim garantimin e vazhdimit të jetës social-ekonomike në qytetin tonë, edhe pas tejkalimit të pandemisë. #BashkëDoIaDalim