Disa e quajnë “emblema e gjallë e gazetarisë”, disa e quajnë “babai i gazetarisë shqiptare”, por përtej këtyre cilësimeve, për të gjithë, ai është “profesor Hamiti”, njeriu që qëndron mbi titujt dhe që nuk ka nevojë për to, sepse vepra e tij flet qartë. Ai është një ndër studiuesit më në zë në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës.
Profesori shkodran , u nderua nga keshilli bashkiak shkoder me titull “Mirenjohja e Qytetit” ne diten e ndarjes se cmimeve qe mbartin emrin e tij, aktivitet i kthyer ne tradite nga Unioni i Gazetareve Shqiptar Dega Shkoder.
Propozimi erdhi nga pedagogia Ardita Reçi me nje grup kolegesh ndersa inisiativa u mbeshtet nga opinioni dhe Keshilli Bashkiak. Më herët, në një ceremoni tradicionale, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vlerësoi me çmimim “Hamit Boriçi” disa nga gazetarët shkodranë.
Kush është Hamit Boriçi
Profesor Hamiti është një nga pinjollët familjes shkodrane, Boriçi, një familje me tradita të spikatura atdhetare e kulturore. Ai lindi në vitin 1930 dhe për nga misioni shoqëror, botëkuptimi dhe dashuria për gjuhën e kulturën shqiptare, ai është pasues i denjë i plejadës së viteve ’40 në Shkodër. Është një figurë tepër humane, gjë të cilën e pohojnë të gjithë ata që e kanë njohur. Njeri që nuk krijon asnjëherë probleme, natyrë e qetë edhe në mes të stuhive përqark, dashamirës e nxitës i tejskajshëm drejt progresit, gojëmbël e fjalëpakë, tepër i matur në veprime e konstatime dhe tejet korrekt. Këdo që takon përpiqet ta mbushë me pozitivitetin e vet, të shohë më të mirën tek secili dhe të bëjë më të mirën për ta.
Ai lindi me 20 mars, në ditën ndërkombëtare të lumturisë. Ky pikëtakim i çuditshëm, nuk duket aq rastësor për profesorin. Duket sikur ai e ka gjetur atë që kërkojmë të gjithë: “Lumturinë” dhe nuk heziton ta ndajë e spërkasë me të realitetin rrethues.
Profesor Hamiti është i pari prej djemve, sepse prindërit e tij lindën 4 djem e 4 vajza. Si djali i parë u rrit mes një dashurie të madhe dhe vëmendjeje të jashtëzakonshme nga të gjithë. Ai ishte fëmijë shumë kureshtar dhe biblioteka e madhe në shtëpinë e xhaxhait të vet ishte oazi dhe vendi më i dashur i tij. Qysh në moshën 10-vjeçare, ai nisi të lexonte shtypin e shkruar. Lexonte me vëmendje nga fillimi deri në fund të gjitha gazetat e revistat që vinin çdo ditë në bibliotekën e Adem Boriçit, djalit te xhaxhait, i mirënjohur në qarqet kulturore e studimore të kohës në Shkodër. Biblioteka e tij, por edhe ajo e djalit të xhaxhait të nënës së vet, mjekut Muhamet Bala, ishin vendet ku profesor Hamiti preku magjinë e letërsisë, por mbi të gjitha të gazetarisë, sepse brenda tij lindi dëshira që të bëhej gazetar. Këtë dëshirë ia ushqyen edhe mësuesit. Ishte 11 vjeç, kur në një hartim me temë të lirë, shkruar në trajtë profili gazetaresk, u vlerësua edhe nga drejtori i shkollës, duke ua lexuar përpara klasës edhe nxënësve të tjerë. Ishte një hartim, në formën e kujtimeve për “Dushin”, shokun e bankës në klasën e parë, mikun e përjetshëm, akademikun Bedri Dedja, për të cilin profesor Hamiti ruan shumë kujtime. Duke qenë nëpunës i lartë në Shkodër, babai i Bedri Dedjes kishte një makinë shkrimi në shtëpi. Shpejt, kjo makinë shkrimi u bë mjeti më i dashur për profesor Hamitin. Ai shkonte pasditeve në shtëpinë e Bedriut dhe të dy mësuan që në moshën 14-vjeçare daktilografimin, proces pune që do t’i ndihmonte shumë në hapat e mëvonshëm të jetës. Makina e shkrimit e shoqëroi profesorin qysh në fillesat e punës 3-vjeçare në arsim e derisa e zëvendësoi me kompjuterin.
Profesor Hamiti filloi të merret herët me gazetari. Qysh kur ishte nxënës në shkollën e mesme pedagogjike, ai u bë bashkëpunëtor i Radio Shkodrës.
Ai ndoqi studimet për gazetari në Universitetin Lomonosov në Moskë, por në vitin e tretë, u detyrua t’i ndërpresë studimet, si pasojë e zhvillimeve politike ndërshtetërore. Bashkë me të gjithë studentët shqiptarë u kthye në atdhe dhe vazhdoi studimet e larta në degën Gjuhë-letërsi, në Universitetin e Tiranës.
Për shkak të nevojave të mëdha që kishte vendi në fushën e pedagogjisë, profesor Hamitin e emërojnë mësues në Shkodër. Bashkë me detyrën e mësuesit, ai nuk mund të rrinte apatik përballë problematikave me të cilat ndeshej arsimi e kultura, prandaj filloi të shkruante artikuj si korrespondent vullnetar në revista të ndryshme, por kryesisht botoi në revistën “Arsimi popullor”.
Përvoja e parë serioze dhe profesionale e tij ishte në vitin 1954, kur ai nisi punën si bashkëpunëtor dhe korrespondent për qytetin dhe qarkun e Shkodrës në gazetën “Zëri i rinisë”. Si korrespondent gama e shkrimeve të tij u bë më e gjerë dhe diktohej jo vetëm nga zgjedhjet e tij, por edhe nga kërkesat e kryeredaktorëve. Kështu, ai u mor kryesisht me zhanrin e reportazhit në sfera të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, si në kulturë, ekonomi, bujqësi e më gjerë. Shkrimet e tij analitike, njohja e thellë e problematikave dhe stili i qartë, ranë në sy të drejtuesve, të cilët e transferuan profesor Hamitin në Tiranë. Kështu, ai kaloi në të gjitha hallkat e gazetarisë aktive, nga korrespondent, gazetar, redaktor e deri kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, e cila ishte gazeta e dytë më e madhe në vend, që renditej pas gazetës “Zëri i popullit”. Duke qenë se kjo gazetë ishte paksa më liberale dhe e fokusuar më tepër tek kultura, profesor Hamiti pati mundësinë që për 12 vjet me radhë (1978-1990) të sillte modelin më të mirë të gazetarisë cilësore, të zhanreve të larmishme dhe të bashkëpunimit e rekrutimit të stafit profesional, edhe pse nën diktaturë.
Dashuria për punën studimore
Pavarësisht suksesit që pati si gazetar e kryeredaktor, dashuria dhe përkushtimi më i madh i profesorit mbeti në fushën e shkencës. Ai nuk u shkëput kurrë nga jeta shkencore aktive dhe puna studimore, qysh në vitin 1964, kur nisi të punonte në degën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Përvoja praktike e gazetarit, formimi i specializuar në këtë fushë, e bënë profesorin që ta përthithte shpejt thelbin dhe nevojat që kishte kjo degë, në mënyrë që të aftësoheshin sa më tepër gazetarët e ardhshëm. Me përkushtim të madh bashkëpunoi me grupin e punës për hartimin e plan-programeve mësimore të kësaj dege dhe njëherësh, hartoi leksionet e lëndës “Teoria dhe praktika e gazetarisë”. Në vitet e mëvonshme, ai do të bëhej titullar edhe i shumë lëndëve të tjera dhe do të propozonte riorganizimin e degës së gazetarisë pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, duke u shkëputur kështu nga Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike. Për më shumë se 45 vjet ka qenë ligjërues i lëndëve “Pasqyrimi i problemeve të kulturës dhe të artit në shtyp”, “Llojet e publicistikës letrare” “Teoria dhe praktika e gazetarisë”, “Mjeshtëria (Format e pasqyrimit publicistik) dhe “Historia e Gazetarisë”. Për disa vjet ka qenë përgjegjës i Katedrës (Sektori Shkencor i Gazetarisë) në Universitetin e Tiranës. Pareshtur, deri në vitet e fundit ka punuar si pedagog i jashtëm në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Në vitin 2005 themeloi edhe Departamentin e Shkencave të Komunikimit – Gazetari – në Albanian University, të cilin e drejtoi deri në vitin akademik 2012-2013, duke qenë njëherësh edhe Zv/Rektor i Universitetit për punën shkencore. Duke u marrë me mësimdhënien kuptoi se aty ishte bota e tij e brendshme dhe lumturia e tij më e madhe.
Në vitet 1983-1988 profesor Hamit Boriçi ka punuar në Sektorin e Letërsisë të Institutit të Gjuhësi-Letërsi të Akademisë së Shkencave, ku është marrë tërësisht me probleme të historisë dhe të teorisë së gazetarisë. Kjo periudhë pesëvjeçare ka qenë për të, siç është shprehur nëpër intervista si një “Universitet Shkencor”, pasi iu dha mundësia të punonte në një sektor shkencor, që pati në gjirin e vet studiues zelltar dhe të mirënjohur të gjuhësisë e të letërsisë shqipe. Në të njëjtën kohë, ai vijoi mësimdhënien me ngarkesë të plotë në Katedrën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.
Edhe pas emërimit si kryeredaktor në gazetën “Bashkimi” nga gjysma e dytë e vitit 1988 deri në prill të 1990-ës, sërish profesori vijoi të ndjekë jetën shkencore në Institut dhe në universitet.
Librat kryesorë të botuar ndër vite:
Nga libri në libër, ai ka dëshmuar njohuritë e tij të thelluara, por ka ditur të ecë edhe me hapin e kohës. Disa nga librat kryesor të botuar para 90-tës janë: Mbi disa probleme dhe gjini të publicistikës – ( 1973); Monografia –Publicistika letrare –(1982); Redaksia dhe puna e gazetarit – (1986); Gazetaria dhe publicistika – (1990).
Periudha më produktive në rrafshin e botimeve është ajo pas viteve ’90, ku renditen një sërë veprash të botuara, ku ndër më të rëndësishmet përmendim: Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare – ( 1997 ); Doracak i gazetarit (Fjalëshpjegim) (2000); Monografi Selim Shpuza – 1999, bashkautor); Kosovë…Në jetësim të Lirisë! (2001, publicistikë); Gazetaria 1 – /Njohuri të përgjithshme – (2003); Gazetaria 2 /Probleme të mjeshtërisë dhe format e pasqyriit publicistik / (2004); Fjalori enciklopedik “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” ( 2005) , drejtues projekti, kryeredaktor dhe bashkautor ); Historia e shtypit shqiptar 1 ( 2007, bashkautor ); Histori e shtypit shqiptar /Nga fillimet deri në ditët tona/ (2010, tekst universitar, bashkautor.); Lajmi në media – (2017, Bashkautor ); Shumë të tjera janë në proces pune dhe shumë vepra të tjera janë të gatshme për botim.
Personaliteti i tij shkencor është ngritur në tre elemente kryesore si gazetar, publicist dhe historian, ku të tria së bashku formojnë profilin e një humanisti të madh në jetë, por edhe në shkencë. Profesor Hamit Boriçi mbetet promovuesi më i madh i gazetarisë humane në vendin tonë dhe studiuesi që çeli rrugën e shkencës mbi gazetarinë dhe komunikimin.