Pas rreth 3 orëve e gjysmë mbledhje, Këshilli Bashkiak ka rrëzuar propozimin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës- Kanalizime Shkodër për rritjen e tarifës së ujit të pijshëm për konsumatorët si dhe për tarifat për largimin dhe përpunimin e ujrave të ndotura.
Ka qenë një vendim në unison i të gjithë këshilltarëve të PS- së, PD- së, BF- së dhe PSD- së, i cili erdhi pasi këshilltarja e socialiste Uarda Albunesa Gjekaj tregoi arsyet se pse rritja e tarifave nuk duhet të ndodhte.
Ajo ka renditur si parësore mangësitë në cilësinë e ofrimit të sherbimeve nga kjo ndërmarrje rajonale si dhe nivelin e lartë të humbjeve administrative, që sipas saj nuk justifikojnë kërkesën për rritje të tarifave.
Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe këshilltarët e grupimeve të tjera dhe me votim, këshilltarët e të gjithë krahëve, votuan kundër rritjes së tarifave të sherbimeve të propozuara nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës- Kanalizime Shkodër.
Kjo shoqëri është tashmë Shoqëri Aksionare me pjesëmarrjen e Ministrisë së Infrastrulturës në masën 51% dhe të 4 bashkive të qarkut të Shkodrës, të gjitha bashkë me 49% të aksioneve.
Kjo çeshtje ngjalli mjaft sensibilitet tek qytetarët, i shprehur edhe nga dëgjesat publike të organizuara në të 5 bashkitë e qarkut Shkodër, sensibilitet që u përkthye me mosmiratimin e e propozimit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës- Kanalizime Shkodër.