Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Shkodër, një nga pikat më të rëndësishme ishte ajo e rialokimit të fondeve për investime në infrastrukturë rrugore por jo vetëm në territorin e Bashkisë.
Kryebashkiaku Bardh Spahia kishte kërkuar miratimin e rialokimit të një fondi 205 milion lekë ose rreth 1.8 milion euro në investime të parashikuara si më poshtë:
Rikualifikim urban bllok pallatesh, rruga Isuf Sokoli
Rikualifikim urban bllok pallatesh, blv. Skenderbeg – rruga Jezuiteve
Rikonstruksion rruga Krajej
Rikualifikim shesh pallatesh rruga Hafiz Sabri Bushati
Rikualifikim Urban Bllok pallatesh: rruga “Nazmi Kryeziu” (Tek Filiali I Postes Rus)
Rikonstruksion Rruga “Mendafshit”
Rikonstruksion Rruga “Selim Gjyrezi”
Rikonstruksion rruga Memej
Rikonstruksion trotuari rruga Daut Borici
Rruga e bicikletave
Fasada e pallatit kinez
Rikonstruksion rruga Jul Variboba
Rikonstruksion rruga Preng Morina
Sistemim rruga 28 Nentori
Ndërsa në kuadër të vijimësisë së investimeve të parashikuara për tu realizuar me faza, Spahia sugjeronte se është i rëndësishëm edhe vazhdimi i ndërhyrjeve të nisura dhe përmbyllja e fazave te dyta për investimet e mëposhtme:
Rikonstruksion Rruga “Milan Shuflaj”, Faza II
Rikonstruksion degëzim Rruga “Treni i Mallrave”, Faza II
Sistemim – Asfaltim i rrugës Oblike – Pallate, Faza II
Këto investime ishin jo vetëm për të plotësuar një pjesë të vogël të nevojave për investime të tilla në territor, por edhe për të balancuar disi financimet në mes qytetit dhe njësive administrative, ku Spahia evidentoi se raporti ishte 67% me 37% në favor të njësive administrative gjatë viteve të fundit.
Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak, parimisht janë shprehur dakort me këto investime, por duke aluduar se mund të bëhen për përfitime politike, teksa kryebashkiaku Spahia i ka siguruar se janë vetëm në interesin e qytetarëve.
Po ashtu, këshilltarët kanë këmbëngulur në sistemin e pikëzimit, për të përcaktuar edhe rrugët apo investimet prioritare ku duhet ndërhyrë në Bashkinë e Shkodrës. Me këtë arsyetime kryesore, këshilltarët socialistë kanë rrëzuar me votat e tyre rialokimin e 205 milion lekëve, 105 milion për qytetin dhe pjesa tjetër për njësitë administrative.
Ndërkohë, këshilltarët socialdemokratë dhe një këshilltar socialist kanë votuar pro rialokimit. Madje, në mënyrë demonstrative këshilltarët e PSD- së lanë sallën duke bërë që mbledhja të mbyllet për mungesë kuorumi pa mundur të ezaurojë të gjithë rendin e ditës.