Zbardhen diskutimet e mbledhjes së Këshillit Politik, e cila po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Burimet bëjnë me dije se opozita gjatë këtij takimi me dyer të mbyllura i ka qëndruar fortë mosprekjes së marrëveshjes së 5 qershorit.
Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së mësohet se gjatë këtij takimi ka kundërshtuar kryeministrin Rama, i cili sipas burimeve ka kërkuar të rihapet edhe njëherë diskutimi i marrëveshjes së 5 Qershorit dhe ndryshimi i draftit final. Në argumentin e tij Rama ka thënë se janë tri pole politike dhe për këtë arsye duhet të rishikohen edhe kërkesat e opozitës parlamentare.
Por mësohet se për demokratin, dokumenti final i 5 qershorit nuk mund të preket, pasi është prokdukt i punës 6 mujore dhe i dakordësuar me partnerët ndërkombëtar në rezidencën e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Burimet bënë të ditur se gjatë mbledhjes Bardhi është shprehur se: “Kuptuam nga diskutimi i Kryetarit të Partisë Socialiste që qëllimi është të rihapim edhe njëherë diskutimin për përmbajtjen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe të bëjnë ndryshime të saj.
Drafti i marrëveshjes së 5 Qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6 mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht. Çështjet që ju shtruat bien në kundërshtim dhe ndryshojnë Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe prishin dakordësinë që ne kemi arritur aty. (nenet 19 dhe 36 të draftit të nënshkruar në zbatim të marrëveshjes së 5 Qershorit).
Gjithashtu, në mbledhjet e Këshillit Politik, por edhe gjatë diskutimeve në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-së, përfaqësuesi zyrtar i Partisë Socialiste nuk ka dhënë konsensusin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ka dakordësuar se kjo çështje nuk mund të diskutohet tani, por në një fazë më të vonshme.
Ky fakt konfirmohet edhe nga përmbajtja e marrëveshjes së 5 Qershorit, ku specifikohet në shënimin nr. 2 që “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”. Sipas pikës 12 të marrëveshjes së firmosur më 5 Qershor “12. Hyrja në fuqi”: “Ky shënim është i zbatueshëm për zgjedhjet e rradhës”. /PanoramA/