Nga Afrim KRASNIQI
Kështu e nisëm pluralizmin: me pasion për demokracinë, por me padije dhe takim të brishtë me idenë e votës së fshehtë, konkurrimit real, depolitizimit dhe integritetit të votës. Në zonat kryesore urbane fitoi opozita, në pjesën më të madhe të vendit fitoi PPSH. Ishin vetëm 4 muaj pluralizëm dhe në mars 1991 ende Shqipëria kishte në fuqi Kushtetutën e RPSSH të vitit 1976! Ishim të varfër, por kishim shpresë!
Në pranverën e 1992 një zyrtar i lartë perëndimor priti në takim disa studentë aktivë në lëvizjen e dhjetorit dhe të shkurtit. Na këshilloi se për ta kuptuar demokracinë dhe për të ndërtuar një demokraci funksionale do ju duhet shumë kohë, dhe do jeni më fat nëse e arrini në një gjeneratë!
Ne shikuam njëri tjetrin të habitur dhe natyrisht menduam se politikani i lartë nuk e njeh pasionin tonë për ndryshim ndaj edhe gabohet. Ia thamë, ai e përsëri parashikimin, duke shtuar se parashikimi i tij ishte optimist dhe vlen vetëm “nëse do t’i bëni gjërat mirë”. Për brezin e ri utopik ndryshimi mendohej se do të ishte vetëm disa vite, më pak vite sesa gishtat e duarve!
Zyrtari i lartë nuk jeton më, një shesh në Elbasan ka emrin e tij, por në fakt pas 30 vitesh retrospektiva tregon se këshilla e tij rezultoi e saktë. Në 30 vjet një gjeneratë e re lindi dhe po rritet, por sfidat për ta kuptuar, ushtruar dhe jetuar demokracinë funksionale mbeten të njëjta dhe ndofta, rrezikojmë të mbeten sfida edhe të gjeneratës tjetër pasuese!