Humbja e Vllaznisë përballë Kastriotit në “Loro Boriçi” ka qenë një goditje e rëndë për skuadrën shkodrane. I këtij mendimi është trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori. Në një lidhje direkte me emisionin “Proçesi Sportiv” në Top Channel, Plori ka theksuar se ekipi ka pësuar një goditje psikologjike. Vetë tekniku është i keqardhur nga kjo situatë dhe nga rezultatet e fundit, megjithatë ka sërish besim se objektivat do të arriten.
Profesor Plori, çfarë nuk shkoi sot (dje) me këtë Vllazni?
“Normalisht, është një situatë e keqe dhe ta tregoj dhe të them, të flas për Vllazninë, në këto momente, është e vështirë për mua, por them se ana psikologjike e skuadrës, sidomos pas pësimit të golit të parë, golit të barazimit, them se ra shumë dhe u bë një objekt, i cili u humb edhe ndeshja. Megjithatë, të flasim që në fillim, ku ishte një ndeshje, ku në pjesën e parë kishte episodet e veta, por entuaziasmi në metrat e fundit them i mungoi skuadrës.
Ka ndikuar edhe lodhja e ndeshjes së Kupës ndaj Partizanit, ku muskujt e lojtarëve në fund të lojës them se nuk e kishin atë freskinë e duhur. Freskia e tyre nuk ishte në parametrat e duhur, por mbi të gjitha them ana psikologjike e tyre është e njëjta Vllazni, siç ishte vjet, kur merr goditje, është shumë e vështirë. Komplet ambienti këtu, gjithçka na rrethon këtu në Shkodër, lojtarët e ndiejnë më tepër se në qytet e tjera dhe them se kjo ndikon drejtpërsëdrejti tek lojtarët.”
Çfarë domethënë kjo ngarkesë psikologjike që bën 10 raste një skuadër si Kastrioti në Shkodër, gjë e pazakontë për Vllazninë?
“Po, janë këto. E dini edhe ju, tashmë një skuadër ndryshe prej vitit tjetër, është ndërtuar një skuadër, e cila pretendohet për të dalë kampion dhe ka pasur zhgënjim në disa javë. Duke pasur këto zhgënjime, them se edhe ndeshja e sotme, ishte një pjesë e asaj. Normalisht, skuadra mundohet dhe synon objektivat e saj minimal, tani që janë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Nga ana psikologjike, them se ka ndikuar edhe ndeshja me Partizanin, ai anullim i golit që tashmë e mira është mos të flitet më për të se u bë bozë, por duhet përmendur edhe kjo, sepse edhe ajo ndikon tek lojtarët.”
Kur ishe zv/trajner e kishe zërin më të fortë dhe më të plotë, tani si trajner të është holluar zëri, cili është ky presioni që thua ti se ne nuk e kuptojmë cili është presioni?
“Tani, unë po mundohem ta shpjegoj. Nuk e di se sa i qartë jam, por kur them presion, them se të gjithë lojtarët kur ndërtohet një skuadër, normalisht ato edhe në momentet që vijnë në Shkodër, e mendojnë se duhet të dalim kampionë. Pra, është ndërtuar një skuadër, ku ne gjithë kohën e kemi përmendur dhe kemi dalë me gjoks përpara, duke thënë se kemi ndërtuar një skuadër, ku do të dalim kampionë, pra, edhe ambienti që na rrethon këtu.
Në çdo kafene, nëpër rrjete sociale, në çdo njeri që takohet, kuptohet se në Shkodër ka më shumë tifozë se në qytetet e tjera dhe këtu lojtarët i bëjnë të ndihen jonormalë pas këtyre humbjeve, sepse ky ndikim nuk është i drejtpërdrejtë, por normalisht ndikon tek sportistat dhe them që kjo ndihet më shumë se në qytetet e tjera, sepse duke takuar edhe sportistët, i shikoj si janë pas rezultateve negative në javët e fundit, them se janë të lodhur nga ana psikologjike.
U munduam në ndeshjen me Partizanin, e cila them se ishte një ndeshje jo në nivelet e jashtëzakonshme, por ishte një ndeshje e matur dhe me ekuilibra, në mënyrë të atillë që të merret një rezultat pozitiv, siç ishte ndeshja e parë e Kupës. Ndikoi ai anullimi i golit dhe ai është presioni domethënë. Këto mendojnë se nuk janë të mbështetur dhe kjo është një pjesë, e cila them se është pjesa e presionit.”
Plori, arbitrimi shqiptar ka çështje ndërshmërie apo paaftësie?
“Po, janë të gjitha bashkë, sepse pastaj nuk mund të thuash se je i paaftë, kur bën veprime të atilla, por edhe se je i ndershëm kur kryen veprime të tilla. Unë them se janë të lidhura të dyja. Them se është një pjesë, e cila ka mangësi në futbollin shqiptar. Nuk mund të bëhemi bozë tani të përmendim dhe vetëm të përmendim, sepse unë e shikoj pak të frikshme, të sikletshme këtë pjesë, duke përmendur gjithmonë gjyqtarët, them se sikur po i shfajësojmë sportistët.
Unë them se sportistët, edhe trajnerët dhe të gjithë ne, kemi faj aty tek ajo pjesë, por është një pjesë, e cila në disa momente, duhet ta theksoj, sidomos në momentin e fundit, kur është bërë i pranishëm edhe VAR, shkon dhe e shikon dhe përsëri gabon, këtu është diçka që nuk ka nevojë për koment më tepër”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori. /Nga Maringlen ZHIVANI/