“Si asht e mujtun që edhe në qytetin tonë, vend i artit, i kulturës e i shumë e shumë gjanave të tjera, shpesh herë harrohet me reagu për njeriun. Jam kënaq këto ditë faktikisht dhe po më vinte me qesh, tuj pa reagime të ndryshme për një kullë që thojnë dojnë me ba atje dikund në mes të qytetit, nja 30 a 40 kat, s’ di gja. Po n’ dashtë, le ti bajnë kullat. Le të bajnë ta mbushin, nëse dojnë me e mbush qytetin, ta mbushin plot e për plot. Por të paktën a ban nji herë, si njerëz, me reagu për ata që janë të varfën, për ata që jan të sëmurë, për ata që janë te braktisun, për shumë persona, nuk e di a e keni pa, të cilët nuk kanë shtëpi, me ndejt me fjetë”.
Kjo deklaratë e një kleriku katolik, ka sjell reagime në rrjetet sociale. Është marrë si pozicionin i Kishës Katolike lidhur me çeshtjen e ndërtimit të Hotel Rozafa Tower në Shkodër. Pra, Kisha Katolike është pro ndërtimit të saj. Ky interpretim është dashakeq, duke tentuar të “dërgojë ujë” në një drejtim të pakontrolluar.
Kisha Katolike në Shqipëri, ka institucionet e veta, duke kulmuar me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë- KISH, që është autoriteti iu vetëm që flet në emër të këtij komuniteti. Kështu ka ndodhur gjithmonë, siç ishte edhe rasti i pozicionimit të KISH për çeshtjen e Censit 2023. Askush tjetër, nuk ka tagër përfaqësimi në këtë vend, aq më tepër kur Kisha Katolike historikisht, është institucion (nëse mund ta quajmë kështu) i centralizuar.
Edhe nëse ka qenë një pozicionim i një kleriku, edhe gjatë predikimit të kishë, nuk ka asnjë “mëkat”. Siç mund ta lexoni më sipër, askund nuk thuhet se kleriku personalisht, aq më pak Kisha Katolike, janë pro ndërtimit të shumëkatëshit në Shkodër. Është marrë thjesht dhe vetëm, një shembull konkret i ditëve të fundit dhe që duket se ka ngjallur ndjeshmëri të lartë të paktën në rrjetet sociale, për të tërhequr vëmendjen në një drejtim tjetër, shumë më të rëndësishëm dhe prioritet i Kishës Katolike: Njeriu! Të tjerat, vijnë më pas.
Mirëqënia e tij shpirtërore dhe fizike, ka qenë, është e do të mbetet deri sa Kisha Katolike mbi 2 mijë vjeçare, të ekzistojë. Edhe po të flasim për çeshtjen e pronave, e cila realisht është “thembra e Akilit” edhe për Hotel Rozafa Tower, Kisha Katolike ka një qasje të ndryshme, edhe nga komunitetet e tjera fetare. Ajo ka preferuar të ndjekë rrugën institucionale, pa preferuar deklamimet (aspak të gabuara) e shumta e të shpeshta në publik.
Jezu Krishti, e ka përcaktuar qartë dhe prerë prej më shumë se 2 mijë vitesh orientimin e Kishës Katolike në raport edhe me pushtet tokësore. “Jepi Çezarit atë që është e Çezarit, Zotit atë që është e Zotit”. Është e kotë, përpjekje e dështuar të tërhiqet Kisha Katolike në një drejtim të imponuar apo të përdoret si “argument” për të “nxehur gjakrat” në favor të njërit apo tjetrit qendrim për temën në fjalë.