Biznesmeni Nazmi Çangu, i cili ra pre e një grabitjeje natën e djeshme në Nikël, ka dhënë një prononcim për media në lidhje me ngjarjen. I shtrirë nga shtrati i spitalit, Çangu i shpërfytyruar nga dhuna, tregon mes dhimbjes fizike terrorin e përjetuar.
Ai bën me dije se në grabitje kanë marrë pjesë 10 persona, të cilët pasi kanë izoluar familjarët e tjerë në katin e tretë të banesës, e kanë dhunuar atë vetë për t’i treguar çelësin e kasafortës.
Biznesmeni tregon se ata e kanë rrahur brutalisht, madje i kanë prerë dhe një gisht. Dyshohet se grabitësit kanë mundur të marrin rreth 100 mijë euro dhe bizhuteri me vlerë.
“Më gjuajti me kauçuku poshtë gushën. I thashë ca policie jeni?! Më goditën. Njëri me automatik. Më gujatën sa deshën. Aty u përlesha me dy persona. Më kanë prerë gishtin gërshërë. Kërkonin çelësat e kasafortës. Kam bërtitur. Kisha dhe fëmijët brenda. (rënkon). Më lidhën dhe me fasheta të zeza. Aty i kam. I kam hequr në spitalin ushtarak. Më lidhën me duart dhe këmbë. Një e kam ngrënë, ai më ra me shkelm fytyrës. Kam rënë pa ndjenja.
I kam kërkuar ujë. Më kanë dhënë 4 herë. Më kërkonin çelësin e kasafortës. Por unë skam lekë këtu, i kam në bankë. Aty kisha një qese me 2 mijë lekshe, i kisha për të paguar betonin. 3 fasheta i kam pasur te këmbët. Një e kam kafshuar në dorë. Unë e dija se ku ishte çelësi i kasafortës. Ajo qesja kishte nja 20 mijë euro.
Do i çoja te betoni se do bënim një kanal në rrugë. Kishte nja 5-6 çelsa të shtëpisë dhe një çelës ishte i kasafortës. Bërtiti njëri; e gjeta. Mori kaçavidën dhe hapën kasafortën. Morën ca gjetën, shuma kam pasur. Dihet se nuk kanë ardhur për gjë tjetër. Kishin dy automatikë dhe pistoletë silenciator. 3 ishin të dhoma ime, 3 të dhoma tjetër, dhe 2 poshtë. Më tha jemi 19 veta, të kemi rrethuar shtëpinë. Më kanë dhunuar dhe familjarët. Gruaja bërtiste aty.”, tha ai.