Mjeku i 31-vjeçarit, që sulmoi kreun e Partisë Demokratike paraditen e sotme, Sadik Lala, ka shpjeguar arsyet se përse ka lëshuar dokumentin që paraqet diagnozën e probleme mendore.
Ai shprehet se Gerti Shehu ka pasur një problem me ligjin (të cilin nuk e sqaron), dhe për këtë arsye mjeku ka lëshuar këtë dokument me kërkesë të policisë.
“Tani, ju e dini që ne mjekët e kemi pak të sikletshme, ose jo të lejuar që të japim informacione për pacientët, përjashtuar sipas ligjit, në rastin kur kërkohet vetëm nga prokuroria dhe policia kriminale dhe kur kërkohet informacion nga kolegët dhe ky është një rast përjashtimor sepse kemi të bëjmë me një ngjarje të dhunshme.
Në letrën që keni ju është një epikrizë e cila është lëshuar me kërkesë të familjarëve, praktikë që ndodh rëndomë në fushën tonë dhe mesa mbaj mend personi më duket ka pasur një problem ligjor, nuk e di ekzaktësisht se çfarë problemi ligjor dhe policia kishte kërkuar nëse personi trajtohej nga psikiatri ose jo.
Gerti ka qenë pacient edhe përpara se të vinte në klinikë. Dokumenti është autentik, me numër regjistri sepse ne mbajmë rekorde. Ju duhet ta dini që shërbimi psikiatrik dhe kirurgjia janë dy profesionet në mjekësi që i mbajnë më gjatë dokumentet mjekësore të ruajtura në regjistrat e të dhënave. Është pikërisht për shkak të problemeve ligjore që mund të ndodhin me pacientë të veçantë. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Dokumentin ma ka kërkuar dhe policia kriminale. Nesër me duhet të dal, mbase nuk jam në gjendje për të dalë tamam nesër në punë, por do dal për të dhënë sqarimet e duhura në të dhënat e pacientit në klinikë sepse kuptohet nuk mund t’i mbaj mend të gjithë rastet.
Nuk e di se si u ka rënë në dorë juve sepse ai dokument duhet realisht të qëndrojë në polici dhe një kopje është e familjarëve.”- shprehet mjeku Sadik Lala për Euronews.