Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar pas ndarjes nga jeta të mjekut Kujtim Shabani ditën e sotme në plazhin e Radhimës. Përmes një postimi në rrjete sociale, ajo i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqëve të mjekut.
Manastirliu shkruan se mjeku ka mbajtur peshën më të madhe në këtë pandemik në Urgjencën e Spitalit të Korçës. Mjeku Kujtim Shabani ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Radhimë. Ai u gjet pa shenja jete në shezlong teksa bëhet e ditur se ndërroi jetë nga shkaqe natyrale.
Postimi i plotë i Manastirliut:
Ndarja e parakohshme nga jeta e dr. Kujtim Shabanit, mjekut të përkushtuar të Spitalit Rajonal të Korçës, është një humbje e madhe për familjen, për qytetarët e Korçës të cilëve u shërbeu me devotshmëri dhe për sistemin tonë shëndetësor.
Dr. Kujtimi ka mbajtur peshën e madhe në këtë pandemi në Urgjencën e Spitalit të Korçës, në shërbim ditë-natë për pacientët. Humbja e tij lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm për familjen dhe qytetin e tij! U prehsh në paqe doktor Kujtimi.