Është promovuar në Tiranë, libri “TINKA KURTI, Ditari i një bashkëshorti” të autores Anila Mema. Janë fletët e ditarit të bashkëshortit të Tinka Kurtit, që botohen për herë të parë, për te hedhur dritë mbi jetën artistike të aktores. Ditari i Palokë Kurtit, është mbajtur ditë pas dite, që nga shfaqja e parë e Tinka Kurtit dhe deri në vitet 1990, kur ai u nda nga jeta.
“E pyeta Tinkën se si u mbajt ky ditar. Më tha: ccdo natë kur shkoja në shtëpi pas shfajes, bashkëshorti im, më thoshte, “ulu aty e fol”. Më pyeste për shfaqjet, për rolin, më bënte kritika e vërejtje”, tha Anila Mema, që ka punuar një vit për botimin e librit me ditarin e bashkëshortit të Tinka Kurtit.
Botimi sjell imazhe, të aktores, të shfaqjeve, kujtimeve dhe herëve kur asaj nuk i jepeshin rolet që donte, ose rolet që meritonte. Ditari i bashkëshortit të saj zbardh, kohët e vështira të të bërit art, dhe problematikat që silnin gjatë punës. Ditari i bashkëshortit të Tinkës, është një ditar për Tinkën, që ajo vendos ta bëjë publik në 90-vjetorin e saj.
Pjesë nga libri:
1- “Kopraci” nga Molieri
Regjia: Lec Shllaku
Shfaqet për herë të parë në datën 20.II.1952.
Ka interpretuar rolin e Marjanës.
Mendime të Tinkës për rolin:
Ndamja e roleve të “Kopracit”, ishte një ngjarje me randësi për Teatrin tonë. Unë hala, në atë kohë isha gjysmë profesioniste dhe as që mendojsha se do të më besonte regjisori ndonjë rol, aq më tepër se në këtë periudhë vihej paralel drama “6 Dashnorët”. Lec Shllaku, regjisori, u justifikue me faktin se; “Nuk të dhashë rol te “Kopraci”, se më duheshe për heroinën te drama tjetër”, shfaqje e cila nuk pati fare sukses. Ndërsa komedia e Molierit, tronditi skenën, me lojën e mrekullueshme të artistit Zef Jubani, aq sa kur e pa shoku Enver, shfaqjen, në një takim me punonjësit e fermentimit tha: “Si mundet të ketë në Shkodër perçe, Shkodra, vendi, ku lot kaq bukur Zef Jubani – Harpagonin?!” Unë, pata fatin të los me këtë partner, tue dublue rolin e Marianës, por në kondita shumë të vështira.
Trupa e teatrit do të merrej për një turne Durrës – Tiranë dhe mue më urdhëruen të shkojsha në këtë turne, megjithëse kisha djalin 4 muajsh. Nuk ishte këtu e keqja, pse ato veprojshin jashtë ligjit, por do të lossha një rol shërbyeseje pa asnjë fjalë e për rolin e Marjanës, do të merrshin aktoren e Durrësit, Vera Vreshtanji, e cila e kishte punue këtë rol, kur ishte në teatrin tonë. Kjo ishte shumë fyese për mue, të merrej aktorja nga Durrësi, tue qenë unë. Insistova, që rolin e Marianës do ta los unë në turne. Na ndanin vetëm 24 orë nga nisja dhe mendoni se në çfarë gjendje isha unë, të përgatitsha fëmijën 4 muajsh, veten apo rolin.
Kështu që nuk fjeta gjithë natën. E dhashë premierën në qytetin e Durrësit, por nuk kam dëshirë ta kujtoj atë shfaqje, pasi edhe pranimi i regjisorit për ta luejt unë rolin e Marianës ishte tendencioz për mue. Ai nuk kishte fare besim tek unë. Sipas tij, unë isha një partnere e dobët për një aktor aq të madh si Zef Jubani. Por qe pikërisht ky rol, shumë ma vonë, që më hapi rrugën e artit. Shoku Mehmet, kur erdhi me pa shfaqjen e çmoi shumë punën e bukur të Teatrit, punën e Zef Jubanit, e në mënyrë të veçantë edhe mue. Ai kishte pyet njerëzit që e shoqërojshin:
– Kush asht’ kjo aktore?
– Asht’ nji aktore e re, e kemi aktivizue ta provojmë, – u kishin përgjigj ato.
Ndërkohë Mehmet Shehu ishte shpreh tekstualisht kështu:
-Jepini dorën! Kjo do të jetë artistja e ardhshme e Shqipërisë.
Fjala e tij mori dhen’ dhe po aq shpejt ndërroj edhe opinioni për mue. Sa e çmueshme ishte për mue kjo fjalë.
Sikur të mos e shifte këtë shfaqje shoku Mehmet dhe mue në këtë rol (se kjo ka randësi), unë ndoshta as sot, nuk do të isha aktore. Unë këtu fola shkurt, por nesër do të shkruej për jetën time. Pikërisht në këtë periudhë do ndalesha shumë, sepse me këtë çast u hap një rrugë e re në karrierën time. Një orë para se të fliteshe kjo gja, unë isha një aktore e zakonshme. Por dhjetë minuta mbasi foli ai, unë isha një aktore e madhe. Edhe ishin pikërisht ata persona, që një orë përpara ishin shpreh “se Tinka asht’ një aktore diletante që po e provojmë”. Sa shumë due me thanë, por tash për tash po e la me kaq.