Gjykatat e vendit, qe nga dita e sotme, kane nisur procesin e zgjedhjes së zëvendëskryetarëve. Keshilli i Larte Gjyqësor, permes nje njoftimi për mediat, ka sqaruar sot, se ky proces ka filluar në gjykatat e rretheve gjyqësore Pukë, Berat dhe Korçë, por do të pasojë menjëherë edhe në të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.
“Është mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të gjykatës e cila zgjedh nga radhët e saj zëvendëskryetarin për një mandat tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme, nëpërmjet një votimi, procedurë e cila është e mirëpërcaktuar në rregulloren e miratuar nga KLGj”- njofton KLGJ.
Sipas Këshillit te Lartë Gjyqësor, zgjedhja e organeve drejtuese në gjykata, do të jetë një përparësi e punës së tij, “duke garantuar kështu, një përmbushje të detyrave dhe funksioneve të gjykatave për pasojë dhe një mbështetje të funksionimit të sistemit gjyqësor në vend”.
Per te monitoruar nga afer procesin, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka caktuar që disa anëtarë të tij të ndjekin nga afër zhvillimin e mbledhjeve të përgjithshme në këto gjykata.