Mori helikopter dhe çarter nga gëzimi fëminor për të takuar Ronaldon, KM-ja dhe u katapultua në Torino. Në afshin e dëshirës për luks, komentojnë ata që nuk e kuptojnë, por e vërteta duket krejt ndryshe.
KM-së i kanë rënë “klikimet” dhe shares, fjalët e tij, pa tërhequr dot pas vagonat e rezultateve të prekshme, e kanë futur dukshëm në krizë pikësh e klikesh pa të cilat është e vështirë të rrojë dot KM-ja.
Populli që mundet, ka rendur tërë këto javë pas plazheve dhe dasmave, apo udhëtimeve çakërqejf, duke degdisur nga vetja politikën dhe politikanët dhe duket se ka braktisur postimet laramane të KM-së, që janë pa lajm dhe pa thelb.
Taulanti pothuajse i bëri një proçkë verore, duke pothuajse kapur me një trafikant të skeduar, por mik familjar, si dhe raportojnë mediat.
Në Selenicë vetëm në një ditë u vranë 8 veta, duke ngritur numrin e vrasjeve vjetore, përtej broçkullitjes kryeministrore, se vrasjet janë produkt i keqqeverisjes apo i mirëqeverisjes…
Mblodhi ministrat në Vlorë, por kur bëri përpara me idenë e ndërrimit të kabinetit, ministrat me brekë banjo, hedhur mbi to pantallona “Armani” apo fustane “Gucci”, nuk përtuan t’ja prishin festën duke bërë kërcënimet e tyre “parimore”.
Dhe KM-ja përzuri mediat, edhe ato më qyqaret dhe puthadoret dhe nuk nxori lajm se çfarë u tha e se çfarë sherresh u bënë me dyer të mbyllura, në shtëpinë e pushimit kryeministror. Fuga mjeshtër u kujdes me sukses që të mos dalë asnjë flluckë në sipërfaqe dhe mbledhja me brekë banjo e qeverisë, të mbytej pa zhurmë apo të shtyhej pas një reflektimi e llogarish të mëtejshme.
Atëherë, u shfaq Igli Tare, që pas pushimeve në Jalë, u hodh e takoi KM-në, duke ja hequr zymtësinë me lajmin e ndeshjes interesante, ku Lazio do të ndeshej me Juventusin dhe ku Ronaldo do të shkrythte këmbët në barin jeshil në atë ndeshje premierë.
Dhe kështu, për të tërhequr tifozerinë e palodhur, mori me vrull nismën inteligjente që të fotografohej me Ronaldon, duke rritur kliket dhe kritikat e përllogaritura më parë.
Por ndonëse ky është parimi: “Dukshmëria është gjithshka dhe qëllimi asgjë”, Km-ja ja mbërriti të rikthehet në qendër të vëmendjes dhe u relaksua paq, deri në gjetjen tjetër të radhës, për të cilën Fuga dhe stafi, punon pa reshtur…
Kaq duket se është kjo saga më Ronaldon, të tjerat diheshin edhe më parë. /Nga Artur ZHEJI, 360GRADË.AL/