Partia e drejtuar nga Lulzim Basha kundërshtoi në KAS vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sipas të cilit, kjo parti kishte të drejtë të propozonte vetëm një anëtar në komisionin zonal zgjedhor për zgjedhjet e 24 shtatorit.
Ndërkohë Partia e Lirisë si parti kryesore e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” fitoi të drejtën që të propozonte 2 anëtarë të KZAZ-së Kukës.
Komisioneri në argumentimin e vendimit u bazua në rezultatet e zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku Partia Demokratike u fut në zgjedhje nën emrin e nënkryetarit Enkelejd Alibeaj dhe dhe doli parti e tretë në rang kombëtar.
Që pas zgjedhjeve të 2021-it PD është përçarë në dy grupe dhe në zgjedhjet vendore grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha u fut nën siglën e “Bashkë Fitojmë” në aleancë me partinë e ish-kryeministrit Ilir Meta.
Pjesa tjetër që vijon të mbajë siglën dhe vulën e partisë në mënyrë ligjore u fut vetëm në garë duke humbur në mënyrë të konsiderueshme elektoratin në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare.
PD-ja kërkoi nga KAS që që të njihte këtë parti si si partinë kryesore të opozitës parlamentare, bazuar në numrin e votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendorë në zgjedhjet e 14 majit duke kontestuar mënyrën e përllogaritjes së votave për partitë përbërëse të koalicionit “BF”.
Zgjedhjet e parakohshme bëhen për të zëvendësuar kryebashkiakun e shkarkuar të Kukësit, Safet Gjici, vetëm pak javë pasi ishte rizgjedhur për një mandat të dytë nën siglën e Partisë Socialiste.
Shkarkimi i tij nga Këshilli i Ministrave erdhi menjëherë pasi në filliom të qershorit qarkulloi në internet një video e tij duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrë. Ai u arrestua pak ditë më vonë për “korrupsion pasiv”. /BIRN/