Kolegji Zgjedhor ka marrë vendimin këtë të enjte që të ripërsëriten zgjedhjet në Bashkinë e Rrogozhinës.
Pas pretendimeve nga ana e opozitës dhe hapjes së kutisë së burgut e cila përmbysi rezultatin mes kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dhe kandidatit socialist, Kolegji Zgjedhor ka vendosur që zgjedhjet të ripërsëriten.
Kujtojmë se kandidati i PS, Edison Memolla fitoi mandatin e tij të dytë me vetëm 30 vota diferencë, përballë atij të ‘BF’, Shkëlqim Hoxha i cili nuk pranoi humbjen, ku pretendonte se votat janë manipuluar.
KAS rihapi kutinë e burgut ku kishte pretendime, por rezultati nuk ndryshoi. Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ju drejtua Kolegjit Zgjedhor, i cili ka vendosur ripërsëritjen e zgjedhjeve.
NJOFTIM PËR MEDIA
Sot, më datë 15.06.2023, ora 15:00, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët:
Esmeralda Xhili (Relatore);
Blerona Hasa (Anëtare);
Emona Muҫi (Anëtare);
Edlira Petri (Anëtare);
Marsela Dervishi (Anëtare);
në seancë gjyqësore të zhvilluar në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë, pasi shqyrtoi ҫështjen Nr.31 Regj.Themeltar, Datë 09.06.2023 Regjistrimi, me:
PADITËSA: – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, përfaqësuar nga Av. Franci Nuri.
– Shkëlqim Hoxha, kandidat për kryetar bashkie Rrogozhinë, përfaqësuar nga Av. Viktor Gumi.
I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuar nga Ina Osmanaj, Erdal Mema dhe Blendi Kodra.
PERSON I INTERESUAR: Subjekti Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, përfaqësuar nga Eridian Salianji.
OBJEKTI: – Ndryshimin e Vendimit nr.174, datë 06.06.2023 të Komisionit për Ankimimet dhe Sanksionet (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
– Miratimi i “Tabelës së re Përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkie Rrogozhinë”, duke mos përfshirë rezultatin zgjedhor të qendrës së votimit nr.2224/01 Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Rrogozhinë.
– Shpalljen fitues për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë z. Shkëlqim Hamid Hoxha, propozuar nga subjekti zgjedhor “Bashkë Fitojmë”.
BAZA LIGJORE: Neni 145, neni 152, neni 153, neni 155 dhe vijues të Kodit Zgjedhor.
Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.174, datë 06.06.2023, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, ka vendosur:
“1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.80, datë 23.05.2023, të depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Ndryshimin e vendimit nr.531, datë 18.05.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”, sipas tabelës përmbledhëse të miratuar me vendimin e ndërmjetëm të KAS të datës 05.06.2023. Data: 06.06.2023 Nr: 174 Ora: 12:15 “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.80, datë 23.05.2023 të depozituar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë””.
Rrëzimin e kërkesës për mospërfshirjen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023, të rezultatit të zgjedhjeve për Qendrën e Votimit nr. 2224/01, IEVP Rrogozhinë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Bazuar në pikën 1 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 152 të Kodit Zgjedhor”
me Vendimin Nr. 28, datë 15.06.2023, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, me shumicë votash,
VENDOSI
Pranimin pjesërisht të padisë.
Shfuqizimin e vendimit Nr.174, datë 06.06.2023 të KAS.
Shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve vendore të datës 14 maj 2023 në Zonën e Administrimit Zgjedhor Nr. 43, për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë, duke urdhëruar përsëritjen e këtyre zgjedhjeve.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.
Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.
U shpall në Tiranë më datë 15.06.2023.
Tiranë, më 15.06.2023
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë