Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vendosi që të realizohet transferimi i pesë qendrave të votimit në bashkinë e Shkodrës, nga 11 që kërkoi kryebashkiakja Volta Ademi.
Qendrat që do të transferohen janë 0116, 0117, 0118, 0119 dhe 0119/1 që lidhin fshatin Shalë me Thethin brenda së njëjtës njësi administrative.
Sot komisioneri rishqyrtoi kërkesën e Voltana Ademit për transferimin e 11 qendrave të votimit që janë në zonat e mbuluara nga dëbora.
Marash Logu, përfaqësuesi ligjor i PD-së tha se është një përpjekje nga ana e Ademit për të dëmtuar procesin zgjedhor.
“Do donim te njiheshim me tre akte. Shkresa e Bashkisë Shkodër për caktimin e QV. Ajo mbështet Bardh Spahinë se edhe në zgjedhjet e tjera të njëjtat kushte kanë qenë”, tha Logu.
Komisioneri vendosi refuzimin e dhënies së autorizimit për ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit nr. 0132, 0133, 0091, 0092, 0093 dhe 0094.
Nesër mbahen zgjedhjet në gjashtë bashki, Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme .