Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka rrëzuar ankimimin e Bashkisë Shkodër lidhur me zgjedhjet e 6 marsit në tre njesi administrative të Bashkisë Shkodër. KAS ka shkuar në të njëjtën logjikë me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili nuk mundësoi zhvillimin e zgjedhjeve për tre njesitë Shalë, Shosh dhe Pult në njësisnë administrative Rrethina për shkak të vështirësive atmosferike.
Me shkresën nr. 3288 prot., datë 28.2.2022, nga Bashkia Shkodër parashtrohet se numri i zgjedhësve që dimërojnë në këto zona është jo më shumë se 220 vetë, dhe se në këto zona malore nuk ka asnjë ambjent publik dhe është propozuar që QV-të të vendosen në njësinë administrative Rrethina si njësia më e afërt me këto qendra, duke marrë në konsideratë që banorët e këtyre fshtarave banojnë në dimër kryesisht në këtë njësi administrative. Për sa më sipër, bashkia Shkodër deklaron se është e pamundur që këto QV të bëhen funksionale për zgjedhjet e datës 6 Mars 2022.
Por pavarësisht kësaj, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka rrëzuar kerkesën e Bashkisë Shkodër, si të pabazuar në ligj. KQZ i kërkon Autoritetit Rrugor Shtetëror dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, marrjen e masave për sigurimin e aksesit të rrugëve dhe energjisë elektrike në zonat e qendrave të votimit në njësitë administrative Shosh, Pult dhe Shalë.
Por Bashkia e Shkodrës nuk është tërhequr pas këtij vendimi, duke paralajmëruar ankimim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, për të bërë të mundur që banorët e Shalë, Shosh, Pult të ushtrojnë të drejtën e votës me 6 mars. Qartas duket se në Kodin Zgjedhor ka një vakuum, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhje të parakohëshme, siç është rasti i 6 marsit.
Po sa është numri i zgjedhësve që me shumë mundësi, nuk do të kenë mundësi të votojnë me 6 mars në zonën e Dukagjinit? Sipas statistikave të vitit 2021, për zgjedhjet e 25 prill 2022, në Shalë kishin të drejtë vote 2916 persona në 6 qendra votimi, nga të cilët 801 e ushtruan këtë të drejtë. Në Shosh, në 2 qendra votimi, kishin të drejtë vote 839 shtetas ku 316 votuan. Në Pult, në 4 qendra votimi, ishin të regjistruar 2098 persona, ku votuan 747.