Procesi i shitjes së aksioneve të KF Vllaznia sh.a. nga Bashkia Shkodër, pronare e tyre, është në një impas. Mësohet se Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të pranojë pretendimet e “Colosseo Construction” pas ankesës së dërguar nga këta të fundit. Prokurimi Publik ka kërkuar pezullimin e procedurës së ankandit dhe mos kryerjen e asnjë veprimi nga autoriteti kontraktor deri në shqyrtimin e ankesës dhe marrjen e vendimit përfundimtar, pas shqyrtimit në themel.
Bashkia Shkodër i cili është dhe pala shitëse e këtij subjekti, duhet të dërgojë menjëherë pranë Komisionit të Prokurimit Publik informacion të hollësishem mbi procedurën e mësiperme të ankandit dhe fazën në të cilën ndodhet kjo procedurë, dokumentat e ankandit të shoqëruara me procesverbalin e hartimit dhe argumentimit te kerkesave për kualifikim dhe specifikimeve teknike; gjithashtu të jepen argumentimet përkatese mbi pretendimet e kandidatit blerës “Colosseo Construction “shpk” si dhe informacion i hollësishem vërtetuar me dokumentacion për dorëzimin e ankesës pranë autoritetit shitës dhe trajtimin e saj.
I gjithë informacioni dhe dokumentacioni i kërkuar, duhet të paraqitet jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së këtij vendimi dhe të jetë shoqëruar me një Proces-Verbal në te cilin të pasqyrohen emertimet e dokumentave me numrin e fletëve përkatëse.
Siç e ka deklaruar më shumë se një herë sponsori Alban Xhaferi por edhe specialistë të futbollit, shtyrja e procesit të shitjes së aksioneve rrezikon seriozisht procesin e licensimit të Vllaznisë për pjesëmarrje në Kupat e Europës.