Ndërsa kanë kaluar 10 ditë nga zgjedhjet e 6 marsit, nesër pritet të hidhet hapi i dytë për shpalljen e kandidatëve fitues. Pasi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli fituesit, tashmë është radha e Komisionit Rregullator të KQZ- së të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga KQZ, thuhet: Komisioni Regullator, ditën e Enjte, më datë 17.03.2022, ora 17:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite: Shqyrtimi i projekt-vendimeve:
“Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, të datës 6 mars 2022’’.
Sipas vendimit që pritet të marrë nesër Komisioni Rregullator, ky vendim mund të ankimohet brenda 5 ditëve në Kolegjin Zgjedhor. Në vijim, do të jetë Gjykata e Shkodrës ajo që do ti japë vlefshmërinë vendimit të KQZ- së.
Më pas, do të thirret mbledhja e Këshillit Bashkiak për konstituimin e kryetarëve të rinj respektivë të zgjedhur me 6 mars, ku edhe do të bëjnë betimin, duke marrë zyrtarisht detyrën.