Kompania e telefonisë së lëvizshme “One” po kthehet në një shqetësim konstant të abonentëve të saj. Tashmë janë më shumë se dy muaj që kjo kompani, nuk ofron sherbimet e veta as në sasi e aq më pak në cilësi.
Janë me qindra raportimet e klientëve të kësaj kompanie në ShkodraWeb. Problemet fillojnë që nga mungesa e mbulimit me sinjal edhe në zona urbane. Po ashtu, ka defekte në komunikim, kur formohet numëri përkatës, ai nga ana tjetër të dëgjon por ti nuk e dëgjon, shprehen klientët në mesazhet e tyre.
Ditët e sidomos orët e fundit, klientë të kompanisë “One” nuk po arrijnë të kryejnë as rimbushje të thjeshta, duke u privuar edhe nga sherbimi më elementar që një kompani celulare duhet të ofrojë.
Blerja nga “One” e kompanisë “Albtelecom”, përveç problematikave të pafundme, nuk po sjell asgjë pozitive. Madje, me probleme të shtuara po përballen edhe klintët e “Albtelecom”.
Ditë për ditë, të pakënaqur nga sherbimet thuajse të gjitha jo funksionale, klientët po paraqiten për të mbyllur kontratat e për të kaluar me kompani tjetër, e vetmja që ka mbetur pas monopolizimit të dy kompanive të tregut.
Nëse vazhdon me këto ritme, “One” e ka mjaft pranë falimentimin. Ndryshe nga “Plus” që falimentoi vetëm duke “marrë në qafë” veten, “One” do të falimentojë duke rrënuar edhe “Albtelecom”. /ShkodraWeb/