Ish- deputeti i Shkodrës Tom Doshi, kryetar i PSDSH- së, ka paditur dy vëllezërit Molla pasi i akuzon se e kanë kanosur për motive pronësie.
“Në vijim të veprimeve hetimore për konfliktin e ndodhur tre ditë më parë në Velipojë, shtetasi T. D., 58 vjeç, ka kallëzuar se dy vëllezërit e kanë kanosur për motive pronësie”, informoi sot policia e Shkodrës.
Edhe biznesmeni dhe ish-deputeti Tom Doshi është vënë në hetim në gjendje të lirë pas një kallëzimi të bërë nga dy vëllezër në Velipojë.
Gjithçka ka nisur pas një konflikti të Tom Doshit me dy vëllezërit Molla, 65 dhe 58 vjeç, për një çështje prone pasditen e 15 qershorit. Ka qenë vetë Prek Molla që ka denoncuar në policinë e Velipojës për konfliktin me Tom Doshin.
Prek Molla ka pësuar dëmtime të lehta fizike, ndërsa konflikti vijon prej shumë vitesh në zonën e Rrjollit në Velipojë, ku të dyja palët kanë pretendime për pronësinë.
Ndërsa më herët, Policia e Shkodrës, përmes një njoftimi, bënte me dije se kishte nisur procedimin penal ndaj ish- deputetit Doshi, ku për mediat thuhej:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Stacionin e Policisë Velipojë, bazuar në kallëzimet e bëra nga vëllezërit L.M e P.M, proceduan penalisht shtetasin T. D., 58 vjeç, për vepren penale “Demtime të tjera me dashje”.
Mbasditen e djeshme, në rrugën “Ibiza”, në fshatin Rrjollë, Velipojë, shtetasi T. D, është konfliktuar dyshohet për motive pronësie me shtetasit L. M., 65 vjeç dhe P. M., 58 vjeç, ( vëllezër). Si pasojë e konfliktit shtetasi P. M., 58 vjeç pësoi dëmtime të lehta fizike.
Vijon puna për identifikimin e dy personave të tjetër të përfshirë në këtë konflikt si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vepren penale “Demtime të tjera me dashje”.