Nga Edison Ypi
Pjerrja e ballit, dalja e mjekrrës përpara, futja e syve në thellësi të kafkës, zgjatja e veshëve, u bënë shkak që “Surrat qen”, “Surrat derr”, “Surrat majmun”, “Surrat kalë”, “Surrat kunadhe”, “Surrat skile”, “Surrat skuth”, ishin disa nga cilësimet e surretërve shqiptarë gjatë rrugës së përdhunimit antropometrik që surratit të shqiptarit ja shkaktoi Diktatura.
Brenda galerisë së pafundme të surretërve diktatorialë, surretërit që binin më tepër në sy ishin, Surrati i spiunit, apo kryesurrati, ishte si një gropë balte Myzeqeje. Surrati i Sekretarit, ishte si në filmat e horrorit kur dikush e çan atë surrat kryqertërthor me lëvizje biçaku. Surrati i komshiut ishte si tav dheje e ngrënë përgjysëm. Surrati i Drejtorit dukej si pjesa e poshtëme e këpucës ushtarake me llokma gome. Surrati i kujdestarit të Këndit të Kuq ngjante me një trung të goditur nja njëmijë herë me sqepar bam-bam-bam.
Surretër të tjerë, jo më pak të përçudnuar se surretërit e mësipërm, ishin surrati i kolegut, surrati i pedagogut, surrati i puntorit pararojë, surrati i kunatit, surrati i baxhanakut, surrati i vjehrrit, surrati i shokut të ushtrisë, surrati i shokut të zborrit, etj. etj. Dihen dhe njihen mardhëniet katastrofike të shqiptarit me sendet si kërrbaçi, huri, ushkuri, litari, sapuni, syzet, brisku, sëpata, sqepari, kalashnikovi, baruti, tritoli, kondomi, lahuta, libri. Katastrofizimi i surratit të shqiptarit, megjithatë, nuk u shkaktua nga mardhëniet me këto sende. Llaftarizimi i surratit të shqiptarit u shkaktua nga mardhënia intensive e surratit të vet me surratin e një makine, me surratin e një automobili të vogël rus të quajtur GAZ 69.
Ishin të gjithnjohur; “Gazi i drejtorit”, “Gazi i sekretarit”, “Gazi i shokut Kadri”, “Gazi i shokut Hysni”, “Gazi i shokut Hekuran” etj. por Gazi si makinë ishte ideuar, projektuar dhe realizuar për tjetër “punë”. Për ndjekje, arrestime, internime. “Gazi i Degës” së Punëve të Brendëshme, ishte tmerri i rrugëve, rrugicave, lagjeve, fshatrave të internimeve. “Erdhi Gazi !” tmerronte të madh e të vogël. Gazi të dilte përpara si ujk, të kalonte anash si dhelpër, të vinte nga mbrapa si hizër.
Gazi kalonte dhe frenonte zhurmshëm edhe pa ndonjë shkak të dukshëm, vetëm për t’i kallur frikën miletit. Jo rrallë dëgjohej të thoshin; “Mu bë gjaku ujë kur më ndali Gazi te këmbët”. Vinte-ikte Gazi, mbahej-lëshohej fryma. Misteri i shëmtimit dhe shfytyrimit monstruoz të surretërve të shqiptarëve të këqinj, spiunave, servilave, sahanlëpirësve, zorraxhinjve, dhe të gjithë edepsëzëve të tjerë, mund të kuptohet vetëm duke kqyrur mirë surratin e Gazit.
Surrati i Gazit, me parafango, fenera, xhama, llamarina, pasqyra, goma, ishte tamam surrat kafshe, surrat bishe, surrat vrasësi, surrat krimineli. E gjithë pështirosja njerëzore, egërsia, ftohtësia, ligësia, memecllëku, qorrllëku, shurdhllëku, budallallëku, tuhafllëku, turpi, llumi, mungesa e stilit, mungesa e elegancës, mungesa e finesës, të gjitha me përballë tepricën e dhunës, ishin në surratin e këtij përbindëshit metalik.
Surrati i Gazit dhe surrati i shqiptarit jepnin e merrnin me njëri-tjetrin si dy pika loti. Të jem a të mos jem si Gazi ?! ishte dilema që shqiptarët normalë i përgjigjeshin “jo” ndërsa zagarët “po”. Një numur shqiptarësh ranë në dashuri me Gazin si me xhelatin, duke bërë që surrati i shqiptarit t’i ngjajë surratit të Gazit dhe surrati i Gazit surratit të shqiptarit.
Gjatë dhjetra viteve fabrikat ruse dhe kineze që prodhonin Gaz-in, nuk i ndryshuan Gaz-it asgjë, nuk i bënë asnjë përmirësim, asnjë modernizim, nuk i ndërruan asnjë vidë, asnjë buton, asnjë llamarinë. Gazi nuk ishte bërë që të ndryshohej prej njeriut. Gazi ishte bërë që ta ndryshonte njeriun. Gazi duhet ruajtur në muze’. Të thonë brezat e ardhshëm; Qënkemi kopilat e një makine.