Presidenti i Federatës Shqiptare të “Kick-Thai Boxing”, Arbis Vjerdha ka denoncuar shkeljen e ligjit në Shqipëri, teksa paralel me federatën që ai drejton, e cila njihet nga ndërkombëtarët, nga KOKSH dhe nga ministria, ekziston një tjetër federatë.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Vjerdha ka shprehur shqetësimin e tij për këtë situatë që është krijuar prej vitesh: “Në Shqipëri ligjërisht është vetëm një federatë ‘Kick-Thai Boxing’, e cila është federata që unë drejtoj, por është hapur edhe një federatë paralele nga njerëz të papërgjegjshëm, nga njerëz dashakeqës të sportit, nga njerëz të korruptuar. Janë persona që e kanë bërë diçka të tillë në shkelje flagrante të ligjit, duke marrë një urdhër nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, pasi federata mund të krijohet vetëm me urdhër të ministrit dhe me bashkimin e disa shoqatave”, shprehet fillimisht Vjerdha, i cili më tej akuzon drejtpërsëdrejti Arjan Konomin, përgjegjës për sportin elitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ndërsa përmend me emra edhe drejtues të tjerë të lartë në MAS që kanë gisht sipas tij në këtë çështje:
“Urdhrin për këtë federatë paralele nuk e ka firmosur një ministër, por një zv.ministër në një kohë kur posti i ministrit ishte vakant në vitin 2013. Këtë shkelje e ka bërë një specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që quhet Arjan Konomi, në bashkëpunim me drejtorin e sporteve të atëhershëm, Vasil Bicin. Zv.ministri që ka firmosur këtë urdhër është Salih Tagani. Tani këta persona ngaqë u ka hyrë frika sepse unë do ti dërgoj në prokurori kanë zhdukur urdhrin, i cili nuk gjendet më në arkivat e ministrisë. Ndërsa këtu vazhdohet që të jemi dy federata.
Federata që unë drejtoj njihet nga Federata Ndërkombëtare Olimpike, njihet gjithashtu edhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa këtu kemi një tjetër federatë paralele, diçka që është në kundërshtim me ligjin në fuqi. Unë do t’i dërgoj para ligjit këta persona që e kanë bërë këtë federatë paralele, njerëz që duan të përçajnë sportin, dashakeqës ndaj sportit dhe të korruptuar. Arjan Konomi ka një jetë që punon në ministri, ka shumë vite aty dhe nuk besoj që kjo që ka ndodhur është një lapsus apo një gabim. Ky është një akt i pastër korruptiv në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq kjo që ka ndodhur është një dashakeqësi ndaj sportit. Por të dyja janë shumë të rënda”, shprehet drejtuesi i “Kick-Thai Boxing” në Shqipëri.
GRUSHTET JASHTË RINGUT – Vetëm pak ditë më parë pallati i sportit “Ramazan Njala” në Durrës u shndërrua në arenë përleshje, teksa një event i federatës paralele që denoncon Vjerdha degjeneroi në grushte jashtë ringut. Ja si e komenton Arbis Vjerdha ngjarjen që ndodhi në qytetin bregdetar:
“Së fundmi ka qenë një eksponent i kësaj federate, i cili është organizatori i këtij eventi, në kundërshtim me çdo lloj rregulli dhe çdo lloj rregulloreje që përmban sigurinë e sportistëve. Pra bëhet fjalë për njerëz kaq të papërgjegjshëm sa rrezikojnë jetën e sportistëve, duke bërë eventin jashtë rregulloreve”.
PARALAJMËRIMI PËR BASHKINË DURRËS – Ish- kampioni dhe fituesi i medaljeve të shumta ndërkombëtare në “Kick-Thai Boxing”, tashmë në rol drejtues, deklaron se ai e kishte njoftuar Bashkinë e Durrësit për eventin që po bëhej nga një federatë në kundërshtim me ligjin, por paralajmërimi i tij ra në vesh të shurdhër:
“Për këtë aktivitet unë kisha vendosur në dijeni kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, shefen e saj të kabinetit, Almiva Llaci, duke u radhitur të gjitha pikat që duhen për një event, të cilat i përkasin rregullores ndërkombëtare. Por ato as nuk denjuan dhe as nuk i morën në konsideratë, madje me prepotencë shefja e kabinetit më thotë: ‘Ne e bëjmë në të mirën e sportit dhe nuk merremi me luftëra personale’. Ndërsa Kryetarja e bashkisë nuk denjoi as për të kthyer përgjigje, për të mbërritur më pas te ato skena të fundit, ku u rrahën me grushte dhe u goditën me stola, për ta vazhduar rrahjen edhe jashtë sallës. Më pas ka ndërhyrë policia duke e prishur komplet aktivitetin, sepse degjeneroi gjithçka. Pra, Bashkia e Durrësit lejoi të bëhej një event i tillë, duke i liruar edhe pallatin e sportit”, shprehet Vjerdha.
APELI – Në fund kreu i “Kick-Thai Boxing” e mbyll me një thirrje për institucionet e sportit në Shqipëri: “Institucionet dhe administrata e shtetit duhet të pastrojnë zyrat. Unë nuk dua të largohem shumë dhe të mbetem të sporti, kështu që specialistët në Ministrinë e Sporteve, duke filluar nga ky Arjan Konomi dhe disa njerëz të tjerë të papërgjegjshëm që hartojnë politika denigruese për të gjithë sportet e tjera, duhet të pastrohen dhe të vendosen njerëz profesionistë.
Duhet të vendosen njerëz profesionistë që i hapin rrugën sportit dhe vendosin drejtësinë dhe ligjshmërinë sportive. Vetëm kaq, ky është apeli im. Nuk kërkoj asgjë më tepër, as të na mbajnë me hatër, vetëm të vendosen njerëz kompetentë dhe dashamirës të sportit, jo persona dashakeqës dhe të korruptuar”, tha Vjerdha.