Kryegjyqtari i Gjykatës së Apelit në Shkodër Fuat Vjerdha, rikthehet në detyrë. Vendimi është marrë sot nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vetting- ut në drejtësi. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Vjerdha, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Të dashur miq! Me ndihmën tuaj Kolegji i Posaçem i Apelimit më rikthej në detyrë.”, shkruan në një rresht të vetëm Vjerdha. Pas shkarkimit nga KPK- ja, pati një angazhim të gjërë qytetar në mbështetje të Vjerdhës, një gjyqtar që gëzon reputacion të padiskutueshëm në Shkodër dhe më gjërë. Madje, pari edhe një peticion ku qindra e qindra qytetarë firmosën për rikthimin në sistem të gjyqtarit Vjerdha.
Ardjan Hajdari ishte kryesues i trupës së KPA, Ina Rama relatore dhe anëtare Natasha Mulaj, Rezarta Shulc, si dhe kreu i KPA, Albana Shtylla.
Vendimi është marrë në dhomën e këshillimit të mbyllur nga KPA. Fuat Vjerdha është një prej anëtarëve që votoi kundër vendimit për gjykim të shkurtuar ndaj Dritan Dajtit, por pavarësisht kësaj nuk e kaloi vettingun.
Tashmë ai do të rikthehet në punë ditën e hënë të javës së ardhshme, i pari që rikthehet në sistemin e drejtësisë, nga të gjithë të përjashtuarit.
Rikthimi i Fuat Vjerdhës në sistemin e drejtsisë, është një lajm i mirë dhe një fitore jo vetëm për të, karrierën e përkushtimin e tij në dhënien e drejtësisë, por edhe për qytetarinë shkodrane që e mbështeti fuqimisht. /ShkodraWeb Media/